Transmetuar më 11-04-2021, 06:37

Si sot, 36 vjet më parë, ndërroi jetë udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë.

Enver Hoxha, diktatori komunist që sundoi me “dorë të hekurt” për afro 40 vjet, ndërroi jetë më 11 prill të vitit 1985.

Ai ishte zgjedhur në krye të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar në 24 maj të vitit 1944, komitet i cili u shndërrua në Qeverinë e Përkohshme Demokratike në tetor të vitit 1944.

Qeveria e tij hyri në Tiranë në nëntor të vitit 1944.

I lindur më 16 tetor të vitit 1908, Enver Hoxha ishte Kryeministër i Shqipërisë në vitet 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe si ministër i Mbrojtjes.

Ai ka mbajtur thuajse gjatë gjithë periudhës së sundimit të partisë së tij detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror (e barazvlefshme me atë të kryetarit të partisë), detyrën e kryetarit të Frontit Demokratik dhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (më pas Ushtria Popullore).

Periudha e sundimit të tij është karakterizuar nga një regjim i ashpër totalitar dhe është një nga figurat më të kontestuara në historinë e Shqipërisë.

Kritikët e regjimit e përmendin kryesisht për shtetëzimin total të ekonomisë, persekutim të kundërshtarëve politikë dhe politikë izolacioniste.

Mbështetësit e tij i njohin meritat për drejtimin e rezistencës dhe Luftës Antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, për elektrifikimin dhe rindërtimin e vendit, për ndërtimin e një sistemi që punësoi gjithë shqiptarët dhe për sistemin arsimor e shëndetësor.

Sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, rreth 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.

Për herë të fundit, Enver Hoxha është shfaqur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit më 29 nëntor të vitit 1982.

Në kronikat e kohës ai shfaqet me një look të pazakontë: me flokët e gjata që konsideroheshin si ‘shfaqje e huaj’ për një qytetar të zakonshëm.

Imazhet e diktatorit komunist me flokët që ja valëviste era dhe me grushtin lart duke nderuar të rënët u shfaqën në televizionin shtetëror dhe gazetat e kohës.

Pas kësaj, sëmundja nuk e lejoi më Enver Hoxhën të vinte në kodrën në Sauk ku prehen eshtrat e Dëshmorëve të Atdheut.

Kur njoftohej vdekja e Enverit

Sot 36 vjet më parë, mëngjesin e 11 prillit të vitit 1985 ndërroi jetë Enver Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë.

Në njoftimin e Komitetit Qendror të asaj dite thuhej: “Zemra e udhëheqësit të madh të partisë dhe të popullit, pushoj së rrahuri…”.

Rreth orës 13:00 agjencia e lajmeve “Reuters” e shpërndau lajmin anekënd botës, duke qenë se Enver Hoxha konsiderohej ndër udhëheqësit më jetëgjatë në pushtet. Në perëndim ai konsiderohej ndër diktatorët më të egër të kohës.

Megjithatë telegrame të shumta ngushëllimi mbërritën nga personalitete të larta të mbi 100 shteteve. Një minutë heshtje për vdekjen e Enver Hoxhës u mbajt nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në mbledhjen e saj të radhës.

Sipas raportit të mjekëve, Hoxha u nda nga jeta si pasojë e një ataku në zemër dhe pësoi gjendje koma që më 9 prill. Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë.

Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në Varrezat e Dëshmorëve, por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Enver Hoxha, lindi më 16 tetor të vitit 1908,  dhe ishte udhëheqësi i Shqipërisë nga nëntori i vitit 1944, kur edhe u çlirua vendi, deri në ditën e vdekjes së tij, 11 prill 1985. Ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Periudha e sundimit dhe më kryesorja jeta e Enver Hoxhës mbeten ende të errëta për publikun shqiptar. Enver Hoxha dilte rrallë në publik gjatë sundimit të tij dhe dilte po aq rrallë në televizionin e vetëm shtetëror të kohës. Hoxha pas prishjes me Bashkimin Sovjetik kur Shqipëria doli edhe nga Traktati i Varshavës, thuhet se nuk kreu më asnjë vizitë shtetërore apo private jashtë vendit.

Historia shqiptare mbi periudhën e viteve të komunizmit ka ndryshuar disa herë në librat shkollorë, çka tregon se në vitet e tranzicionit politika pas ’90 më tepër ka abuzuar dhe ka kërkuar të fitojë kapital politik me të shkuarën sesa është përpjekur të shpjegojë të vërtetën.

Vila ku jetoi Enver Hoxha 

Edhe sot 36 vjet pas vdekjes raportohet luksi ku jetonte Enver Hoxha brenda vilës qeveritare, vilë që sot i përket shtetit, çka do të thotë se ai luks edhe sot mbeti pronë shtetërore. Në asnjë vend tjetër komunist në botë nuk besohet të ketë ndodhur që udhëheqësi i një vendi të jetojë në një banesë të mjerueshme. Kjo nuk i ka ndodhur as ndonjë udhëheqësi tjetër në vendet demokratike e jo për ato autoritare.

Ajo që nuk është zbardhur ende është se sa i pasur ishte Enver Hoxha kur erdhi në pushtet dhe ç’pasuri i la ai familjes pas vdekjes, me qëllim për të bërë një krahasim me qoftë edhe një deputet të politikës së sotme.