Transmetuar më 11-04-2021, 14:09

Banorët dhe opinion publik zbuluan se ishte vrasje vetëm pas disa orësh. Krimi i rëndë në Dibër, ku nusja Miranda Markja, 44 vjeç vrau me thikë vjehrrën e saj Nazmije Markja 74 vjeçe ka tronditur fshatin e vogël të Burimit në Maqellarë të Dibrës, por jo vetëm.

Banorët thonë se kanë shkuar për ngushëllim që prej ditës së djeshme kur iu erdhi lajmi për vdekjen e 74-vjeçares, por nuk e kanë ditur arsyen e vërtetë. Ata shprehen se e kanë marrë vesh nga të afërmit dhe televizori. Për viktimën dhe familjen e saj fjalët janë vetëm të mira. Sa i përket problemeve të shëndetit mendor, për të cilat thuhet se vuante autorja, ata ngrenë supet.

“Nazmija shumë e mirë, e urtë, e sjellshme, ujin nuk e turbullonte. I kam fis të largët. Dy djemtë i ka në Itali nusja, një voc të vogël ka këtu, një gocë e ka martuar në Bulqizë, rri në Angli. Nusja, thonë që ka qenë pak me të meta.

Bashkëshorti ishte në Maqellarë duke shitur me një tavolinë, kur e morën në telefon dhe ka ardhur e ka gjetur të vrarë nga ora 4 pasdite dje. Kanë njoftuar policinë, se kush nuk e di dhe erdhi policia”, tha një banor.

“Shumë të mirë si familje, punëtorë, në punë të vet, në hall të vet. Se si u bë nuk e di. Njerëz shumë të urtë, të butë.Në televizor e dëgjova.

Ne shkuam për ngushëllim, po nuk e dinim që e kishte vrarë.

Morëm detyrat si komshi për të marrë pjesë në varrim. Nuk na thanë përse kishte vdekur. Sot e morëm vesh në televizor. Policia ka qenë mbrëmë sipas të dhënave. Nuk dimë gjë që kanë pasur konflikt. Ka katër fëmijë, një vajzë dhe tre djem”, shprehet një tjetër banor.“Na njoftuan, sollën njeri këtu. Thanë ka vdekur filania.

E dimë që ka qenë sëmurë, ka qenë e vjetër, jo shumë, por me astmë. Shkuam aty, takuam njerëzit e afërt të saj, kishin ardhur vëllezërit, ngushëlluam dhe dolëm. Jashtë ishte një polic.

Nuk dinim gjë për krimin, absolutisht. Nuk na thanë, sot në mëngjes e kam marrë vesh. Më pyeti një shok në telefon, e kishte dëgjuar n` televizion. Nuk dimë gjë që ka qenë e sëmurë nusja. Ne nuk e dimë”, deklaron një tjetër.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, teksa sipas hetimeve paraprake, nusja e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen për 6 orë./ K.B/NOA.al