Transmetuar më 11-04-2021, 16:26

Një grup qytetarësh protestuan sot në fshatin Thirrë të Mirditës, në një organizim që policia e ka konsideruar të paligjshëm.

Për këtë, 33 persona janë shoqëruar në komisariat, ku sipas autoriteteve ata organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësve të policisë.

Më pas ata u lanë të shkonin, dhe ka nisur procedimi i tyre në gjendje të lirë.

“Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe nuk i  janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të zbllokuar qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftim.

Organizime të tilla ndërkohë nuk janë të lejuara sipas masave që janë marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Banorët dolën në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali në zonë. /k.k/noa.al/