Transmetuar më 12-04-2021, 07:32

Pasuria e miliarderëve gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) është rritur me katër trilionë dollarë.

Një raport nga Instituti për Studime Politike që u botua në portalin “Business Insider”, thotë se nga 18 mars 2020 deri më 18 mars 2021, pasuria e 2 365 miliarderëve u rrit me 54%, pra me katër trilionë dollarë.

Raporti thekson se vetëm 20 miliarderët më të pasur tani janë edhe më të pasur për 742 miliardë dollarë, një rritje prej 68%.

Gjithashtu, në një raport tjetër nga organizata ndërkombëtare Oxfam botuar në fillim të vitit 2021, evidenton se miliarderët janë më të pasur me rreth 3,9 trilionë dollarë.

Në raport theksohet se këto para do të ndihmonin që askush të mos mbetej i varfër nga pandemia e koronavirusit, si dhe do të mund të bliheshin vaksina të mjaftueshme për të gjithë. Por një grusht njerëzish i kanë shtuar fitimet e tyre duke përfituar nga situata pandemike.

E njëjta gjë edhe në Shqipëri. Bizneset e tregtisë kanë pësuar rritje drastike sidomos në lëmin ushqimor. Marketet dhe supermarketet që u përkasin rrjeteve zinxhir kanë shtuar shumë fitimet.

Disa biznesmenë kanë përfituar nga koncesionet. Miliarderët e ndërtimit janë pasuruar ndjeshëm muajt e fundit nga fluksi i ndërtimeve të financuara nga shteti shqiptar.

Ndërkohë, spitalet private dhe depot farmaceutike po bëjnë namin në shitje dhe norma shumë të larta fitimi. Për shkak të pandemisë, shumë njerëz janë shtruar dhe ndiqen në spitale private ku kostoja nis nga 2 mijë euro dita.

Ndërsa firmat e Barnave po korrin të ardhura duke shitur pa fund produkte që presupozohet se mbrojnë nga Covid-19.

Në Shqipëri nuk ka asnjë transparencë publike se sa të ardhura konkretisht kanë pasur kompanitë gjatë viteve kalendarike ose periudhës së jashtëzakonshme që po kalojmë. /noa.al