Transmetuar më 12-04-2021, 11:02

Ndërsa thuajse e gjithë vëmendja është kthyer te zgjedhjet e 25 prillit, elementët kriminalë po e shfrytëzojnë këtë situatë duke shtuar aktivitetin e tyre. Orët e fundit noa.al ka zbardhur një seri krimesh të ndodhura në të gjithë vendin.

Mes tyre është grabitja me armë zjarri e një pike karburanti në Krujë nga disa persona të maskuar.

Ngjarja ndodhi sot në orët e para të mëngjesit, tek Ura e Gjolës, Arrameras, Fushë Krujë.

Persona të maskuar, nën kërcënimin e një arme zjarri kanë terrorizuar. punonjësit e atyshëm. Në kushtet e frikës për jetën, kanë detyruar ata që të dorëzojnë paratë.

Agresorët kanë marrë një sasi vlere monetare në këtë pikë karburanti dhe janë larguar duke e përmbushur me sukses abuzimin e tyre.

Ngjarja pasoi denoncimin në polici. Kjo e fundit tha se në orët pas grabitjes identifikuan tre autorët e grabitjes dhe kapën dy prej tyre.

Të arrestuarit janë S. Ç., 30 vjeç, banues në Nikël, Krujë, Z. Ç., 17 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë. Ndërsa u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 17 vjeç, banues në Fshatin Verjon, Krujë.

Që të tre të dyshuarit janë kushërinj me njëri-tjetrin dhe bie në sy fakti se më i madhi i është bashkuar dy djemve të mitur në këtë plaçkitje të armatosur.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes siç shihni dhe foton.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale "Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje". /noa.al