Transmetuar më 14-04-2021, 14:48

OPINION Nga Artan Fuga

Është e çuditshme si infantilizohet njeriu i rritur, bëhet si fëmijë nën presionin e propagandës, të imitimit, stresit, apo nga që ka narcizimin e vet!

Ankohen disa: Po më telefonojnë nga PS, nga PD, nga RSP, nga MCB, nga RTSH dhe më pyesin për kë do të votoj?

Je shqetësuar me telefonatat? Normale!

Mos hap këto dhjetë ditë telefonat me numra që nuk i njeh.

Ndonjë telefonatë që ke hapur dhe është nga këto, bëje “block” atë numër që të mos të të çajë kokën më.

Poqese e hap, thuaji : Ik or idiot, pse ty do të them unë se për kë votoj!

Poqese nuk ke punë dhe do të bësh gallatë, mbaje me muhabet dhe thuaji brroçkulla të mërzitet!

Përndryshe ngacmohesh vetë!

Dhe shko në 25 prill voto sipas midesë tënde: Po qe se je i kënaqur voto qeverinë, hallal!, poqese mendon se je i flakur si qen në rrugë, voto opozitën e vërtetë, jo çdo zagar që thotë jam opozitar!

Mbi të gjitha mos e ço votën kot!

Kaq e thjeshtë është!

Ata që marrin në telefon nga kushdo qoftë janë analfabetë në marketingun politik, në sondazhe, me një fjalë në profesion janë idiotë!

Mërzisin miletin dhe nuk fitojnë asgjë, kurse informacionin për tendencat elektorale nuk e marrin dot kurrë, po kurrë, po kurrë, kështu!

Unë për vete kam një zakon, po më bëre presion për diçka, dije se të vihem kundër, jo ime është "Njet", "Nein"! përgjithmonë, dikush që nuk respekton privatësinë, qetësinë, rehatinë e të tjerëve, jo votë që nuk i jap, por as dua ta shoh me sy!

/a.m/NOA.al