Transmetuar më 14-04-2021, 06:47

"Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti"

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim lëshoi një thirrje të fortë për votuesit shqiptarë duke i ftuar të votojnë për ndryshimin nëse duan ndryshim dhe nëse duan kriminelë të votojnë kriminelë.

Deklarimet e zonjës Kim u bënë gjatë një interviste që ajo dha në RTSH të cilën e gjeni të zbardhur më poshtë.

Kim tha se "votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti".

Intervista e plotë

Lutfi Dervishi: Më pak se dy javë nga dita e votimit, cilat janë shqetësimet tuaja kryesore në lidhje me zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Kam shpresa por edhe shqetësime, siç vëreni ju. Mendoj se janë votime shumë të rëndësishme këto që vijnë. Pas 30 vitesh demokraci, jemi në një pikë kthese dhe mendoj se populli shqiptar ka mundësinë si në çdo zgjedhje për të vendosur në çfarë drejtimi do të shkojnë. Prandaj iu kam thënë votuesve se nuk ka rëndësi për kë votoni, por ka rëndësi që të votoni dhe vota juaj të jetë e mirëfilltë. Të ardhmen tuaj e vendosni ju.

Lutfi Dervishi: A shihni shenja të minimit të integritetit të zgjedhjeve? Ju merrni raporte.

Ambasadorja Kim: Marr raporte. Dëgjoj lloj-lloj gjërash dhe jemi të vëmendshëm. Në fund, kemi ekspertë që do të bëjnë një deklarim për këtë. E dini që OSBE ka dërguar një ekip nga ODIHR dhe ata janë ekspertët e vërtetë. Ndaj, do të pres për raportin e plotë.

Lutfi Dervishi: Kur takoheni me drejtues politikë siç ndodhi në Elbasan apo qytete të tjera, çfarë ju thonë?

Ambasadorja Kim: Më thonë se zgjedhjet janë të rëndësishme për ta. Që po punojnë fort. Dhe pastaj më tregojnë për shqetësimet që kanë për palën tjetër dhe iu them se duhet të merren me veten në fillim dhe pastaj të lejojnë ekspertët të merren me të tjerët. Kam ndjesinë se njerëzit e morën seriozisht – me njerëzit kam parasysh partitë politike – morën në konsideratë këshillat që iu kemi dhënë për rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe, sinqerisht, kriminelët më të dukshëm nuk janë përfshirë por, a ka emra shqetësues? Po, ka.

Lutfi Dervishi: Mund t’i përmendim?

Ambasadorja Kim: Zëvendës Ndihmës Sekretari Matt Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet. Në fund, ka një proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shohë dhe tani kanë referuar 30 emra tek prokurorët për informacion shtesë dhe, në varësi të asaj që do të dalë në fund në fletën e votimit, votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë. Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe Sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën.

Lutfi Dervishi: Kur flisni për emrat, dhe informacionin në dispozicion, pyetja është: Ky informacion – një pyetje retorike kjo – është në dispozicion të prokurorëve apo SPAK-ut apo ligjzbatuesve të tjerë?

Ambasadorja Kim: Mendoj që informacioni është gjerësisht në dispozicion.

Lutfi Dervishi: Çfarë mungon?

Ambasadorja Kim: Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajo. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajo. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës tek reforma në drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot.

Lutfi Dervishi: Pra ajo që përmendni është ajo që thoni shpesh, shihni faktet dhe jo propagandën…

Ambasadorja Kim: …saktësisht.

Lutfi Dervishi: Do të kthehemi tek reforma në drejtësi dhe rezultatet. Dua të marr pak minuta të tjera për zgjedhjet. Shqipëria ka një nga ligjet më të ashpra të dekriminalizimit, por ka opinione dhe përpjekje, përfshi deputetë nga kjo legjislaturë, që ligji duhet amenduar që të përfshijë persona që kanë kryer dënime në vende si Zvicra, Kosova, për të mos përmendur listën e zezë të SHBA.

Ambasadorja Kim: Ka mjaft boshllëqe dhe mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur. E dinë se kush bën çfarë. Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde nuk do të thotë se është njeri i mirë. Dakord? Ndaj, mendoj se votuesit duhet ta mendojnë këtë. Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky është një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht. E di që ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari.

Lutfi Dervishi: Ajo që përmendët është që kemi persona që qartësisht nuk e nderojnë emrin e Shqipërisë duke qenë në parlament dhe nëse flasim për një trekëndësh – kemi institucione apo prokurorë të ndrojtur, udhëheqës politikë që nuk kanë kurajë dhe duket se shpresa juaj e fundit më e mirë janë votuesit shqiptarë?

Ambasadorja Kim: Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti.

Lutfi Dervishi: …është momenti. Zonja ambasadore, duke folur për shpresat dhe pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit, keni luajtur një rol madhor duke u siguruar që partitë politike të bëhen bashkë, të arrijnë një marrëveshje dhe të sigurojnë që do të kemi infrastrukturën ligjore për zgjedhjet. Në një mënyrë, keni qenë garante e marrëveshjes së 5 qershorit. A jeni garante edhe e zbatimit të kësaj marrëveshjeje?

Ambasadorja Kim: Mendoj se garancitë në çdo demokraci për një marrëveshje si kjo janë institucionet, por janë edhe përgjegjësi e udhëheqësve politikë, sidomos atyre që janë të zgjedhur por edhe atyre që dëshirojnë të zgjidhen. Nëse jepni fjalën se do të bëni këtë dhe atë, atëherë duhet ta bësh dhe sigurisht që këtë e garantojnë institucionet dhe, për shembull, në këtë rast, janë komisionerët e KQZ që do të kenë përgjegjësinë për t’u siguruar që marrëveshja do të zbatohet ndaj aty duhet të shohim. Megjithatë, në fund, garantët e vërtetë në çdo demokraci janë populli dhe, përsëris, vota juaj më 25 prill është pushteti juaj themelor.

Lutfi Dervishi: Cilat janë pritshmëritë tuaja për rolin e medias në këtë fushatë zgjedhore deri më 25 prill, përfshi ditën e votimit?

Ambasadorja Kim: Media është jashtëzakonisht e rëndësishme. Reporterët janë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Duhet ta bëjnë punën e tyre me profesionalizëm, integritet dhe etikë. E di shumë mirë që shumë media këtu në Shqipëri anojnë nga një krah apo një tjetër. Mendoj se reporterët kanë përgjegjësinë që të përpiqen të paraqesin faktet sa më mirë të munden. Kjo do të thotë edhe që të mos biesh dakord me dikë thjesht sepse është nga partia që të pëlqen ty. Duhet të bësh pyetjet e vështira. E kam thënë edhe në intervista të tjera më parë, kam respekt për reporterët që më bëjnë pyetje të vështira. Nëse kam thënë diçka qesharake, duhet të më sfidosh. Nëse kam thënë diçka që nuk është e qartë, duhet të më detyroni ta sqaroj; është detyra ime të përgjigjem dhe mendoj është detyra e reporterëve të kërkojnë përgjigje në emër të qytetarëve.

Lutfi Dervishi: Ambasada qartësisht do monitorojë ditën e votimit. A keni një qytet të preferuar?

Ambasadorja Kim: Ka shumë qytete që janë me rëndësi. Siç e dini, kam qenë në disa qytete javët e fundit. Këtë javë do të udhëtoj përsëri. Edhe javën që vjen do vizitoj një tjetër. Ditën e zgjedhjeve do të shkoj në disa nga pikat kyçe. Nuk e kemi bërë planin ende, por vetëm nga Ambasada e SHBA do të jenë 23 ose 24 ekipe. Do të shpërndahen në të gjithë vendin. Kjo është përveç ekipeve të ambasadave të tjera dhe, sigurisht, është OSBE/ODIHR që ka d[rguar ekipin zyrtar. Do t’i shohim gjërat, nga shumë afër. Dhe siç kam thënë më parë, në fund do të mbështetemi tek OSBE/ODIHR që do të japin opinionin e tyre ekspert.

Lutfi Dervishi: A do të veprojë SHBA si arbiter nëse ka mosmarrëveshje lidhur me zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është mënyra e gabuar e të menduarit. Mendoj se nuk është ky roli ynë. Nëse po pyesni, a e vrasim mendjen për çfarë ndodh? Po, e vrasim mendjen. A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo atë kandidat, këtë apo atë parti, por flas për rëndësinë, rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse. Kjo është ajo për të cilën kemi interes.

Lutfi Dervishi: Keni thënë që amerikanët dhe ju vetë jeni optimistë nga natyra. Kam vetëm një pyetje për këto zgjedhje, të cilat janë shumë të rëndësishme. Këto zgjedhje do të jenë të dhjetat zgjedhje parlamentare nga viti 1991 në Shqipëri. Vetëm tre zgjedhje, në 1992, 2005 dhe 2013, kanë kaluar testin e pranimit nga pala humbëse. Çfarë ju bën optimiste se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se rezultati do të pranohet?

Ambasadorja Kim: Në jetë nuk ka garanci, por kur shoh situatën, e dini, jam thellësisht në diskutime me të gjithë udhëheqësit përkatës. Mendoj se e kuptojnë rëndësinë që ka ndjekja e rregullave në maksimumin e mundësive, që ka transparenca. Mendoj se e kuptojnë se sa rëndësi kanë për të ardhmen e Shqipërisë. Mendoj e kuptojnë se sa rëndësi ka nga pikëpamja e SHBA, si mbështetëse dhe mike e Shqipërisë. Kemi qenë me ju për 30 vjet dhe tani jemi të lumtur të festojmë 30 vjet së bashku. Kemi bërë një investim shumë të madh tek Shqipëria si demokraci dhe si demokraci e begatë. Nuk kemi për ta humbur atë investim. Në fakt, preferojmë të sjellim më shumë investime, më shumë investime tradicionale, tek biznesi. Prandaj më dëgjon shpesh Lutfi të las për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Këto tri gjëra janë të lidhura. Ëndrra ime është të kemi një situatë në Shqipëri ku sundimi i ligjit vjen duke u forcuar, në mënyrë që t’u them investitorëve amerikanë: rregullat e investimit në Shqipëri janë të qarta. Nëse vini këtu, do të gjeni një popullsi, një forcë punëtore që është e aftë dhe që mund të trajnohet; se do të gjeni një system gjykatash që do t’ju japin një gjykim të drejtë në rast mosmarrëveshjeje; se ia vlen të vish në Shqipëri për të krijuar vende pune. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte nga Shkodra në Sarandë. Mendoj se është e mundur por e dini që duhet të merren ca vendime të vështira këtu. Nëse nuk keni një system gjykatash të pastra, njerëzit nuk do të investojnë.

Lutfi Dervishi: Kam edhe një pyetje të fundit për zgjedhjet dhe pastaj do të kalojmë tek tema e preferuar e reformës në drejtësi, tema kryesore në qytet të paktën nga korriku 2016. Pyetja ka të bëjë me krizën politike shqiptare. Vendi ka kaluar shumë kriza dhe përpara se të vinit në Shqipëri, keni thënë se keni lexuar shumë për politikën shqiptare. A keni ndonjë ide për rrënjët e krizës politike shqiptare?

Ambasadorja Kim: Çfarë doni të thoni?

Lutfi Dervishi: Kemi pasur kriza të paktën dy në çdo dhjetëvjeçar: 1991, 1996, 1997, 1998, 2001, 2010, më pak, dhe 2017, pra tepër kriza për një vend të vogël dhe të ri.

Ambasadorja Kim: Mendoj se shumë demokraci të reja, dhe mendoj se Shqipëria është një demokraci e re – 30 vjet janë kohë e gjatë në jetën e një personi, por jo dhe aq në jetën e një vendi. Kjo sigurisht jo për të shfajësuar, por do të thotë që Shqipëria është e veçantë në shumë mënyra, por pasja e njëfarë vështirësie dhe turbulence në zhvillimin e saj si demokraci, nuk është diçka ujnike, jo dhe aq e veçantë. Por është e rëndësishme të qëndrojmë të fokusuar tek synimi fundor, të vazhdoni t’iu kërkoni udhëheqësve tuaj dhe ta bëni gjithnjë e më të vështirë për partitë politike apo aktorët politikë që të sillen keq, dhe kjo përfshin përpjekjen për të refuzuar rezultatet e zgjedhjeve legjitime. Ndaj, kur dëgjoj njerëz që bëjnë komente lidhur me, e dini, nëse nuk fitojmë është ngaqë pala tjetër mashtroi, nuk është diçka e pranueshme për t’u thënë. Është diçka shumë e pafat. Më tregon që mendon se mund të humbësh. Dikush që ka besim që do të fitojë nuk thotë gjëra të tilla.

Lutfi Dervishi: Pyetja e fundit. Thatë, ‘ritheksoj se do t’i kërkojmë llogari udhëheqësve. Do të ndërmarrim veprimet e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë apo nxisin dhunë, pranojnë apo nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, dhe që përndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin tek procesi zgjedhor dhe rezultatet e tij.’ A keni një plan në tryezë?

Ambasadorja Kim: Mendoj që kemi disa opsione por nuk i diskutoj në publik. Mendoj që njerëzit e kuptojnë që për Shtetet e Bashkuara, kjo është diçka serioze dhe mendoj që Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë shumë shumë të qartë rëndësinë qëndrore të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe forcimit të demokracisë kudo në botë. Dhe nuk e bëjmë sepse mendojmë se është diçka e këndshme, nuk është bamirësi. E bëjmë sepse është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që të kenë aleatë që janë të fortë, të aftë, dhe të begatë. Duam të sigurohemi që Shqipëria si aleate e NATO-s është maksimalisht e fortë, sepse ne besojmë tek ju ashtu si ju besoni tek ne; kjo është ajo që mendoj teksa shohim këtë 30-vjetor por edhe teksa ecim drejt zgjedhjeve. Është koha për të vendosur se çfarë vendi do të jetë Shqipëria.

Lutfi Dervishi: Pra fjalët kyçe: sundim i ligjit dhe korrupsioni. Ka ardhur momenti për të folur për reformën në drejtësi por do ta bëjmë menjëherë pas një pushimi të shkurtër publicitar.

Lutfi Dervishi: Jemi kthyer në studio me Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. Zonja ambasadore, kur flasim për reformën në drejtësi, ju keni thënë se të kërkosh përsosmëri është një mënyrë për të frenuar përparimin. Mund ta shpjegoni pak se çfarë doni të thoni dhe se si kjo frazë lidhet me reformën në drejtësi?

Ambasadorja Yuri Kim: Kemi një thënie në Amerikë, “mos lejo të përsosurën të bëhet armike e së mires,” dhe ajo që duam të themi është se ndonjëherë, kur kërkon përsosmëri, është një mënyrë për të frenuar ecjen përpara. Kur ndërton një shtëpi, është si të thuash që duhet shkatërruar se perdet janë më të shkurtra se sa duhet. Pra, kërkesa për përsosmëri mund të të pengojë rrugën. Në lidhje me reformën në drejtësi, e them dhe e rithem, mos ia vini veshin propagandës. Kërkesa për përsosmëri është propagandë, apo jo? Ia vini veshin fakteve. Çfarë është e ndryshme sot nga ku ishte vendi, nga ku ishte sistemi i drejtësisë një vit më parë, 2 vjet më parë, 3 vjet më parë dhe ndërton rrugën përpara bazuar në atë përparim. Më herët në program, ju përmenda numrin e ndjekjeve penale, sasinë e aseteve të sekuestruara, numrin e njerëzve që futen në burg. Ato shifra do të rriten ngadalë dhe po kështu do ndryshojë edhe lloji i individëve që do të japin llogari, pak nga pak. Edhe një herë, nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur, por e sigurt që shohim përparim dhe mendoj njerëzve nuk duhet t’i shpëtojë nga sytë përparimi apo synimi fundor dhe duhet të vazhdojnë të kërkojnë më shumë. Mos hiqni dorë, nuk është momenti për të hequr dorë.

Lutfi Dervishi: Kur flisni për reformën në drejtësi, përmendët përparimin dhe keni thënë se ka mjaft përparim për të alarmuar ata që nuk e duan…

Ambasadorja Kim: …e saktë …

Lutfi Dervishi: …por jo mjaft sa shqiptarët të ndjejnë se ka drejtësi. Kur mendoni do vijë koha kur shprehja “të gjithë të barabartë para ligjit” nuk është veç një parrullë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se jemi në atë pikën e majës këtu, ndaj përmenda se është mjaft sa për të trembur kundërshtarët por jo mjaft sa për të kënaqur ata që duan drejtësi të plotë. Nuk e di nëse mund ta identifikoj saktë…

Lutfi Dervishi: Më falni që ju ndërpres. Kur flasim për reformën në drejtësi, njohim kampionët ose shumica e njerëzve i njohin kampionët, por jo sabotatorët.

Ambasadorja Kim: Nuk e kuptoj pyetjen. Është pohim? Është pyetje?

Lutfi Dervishi: Është pyetje në kuptimin që njohim të mirët por jo të këqinjtë.

Ambasadorja Kim: Po.

Lutfi Dervishi: …ose publiku nuk e njeh aq sa njeh të mirët dhe kampionët por nuk është i mirë-informuar për të këqinjtë dhe ata që e ndjejnë tani dhe nëse mund të flasim se si ndiheni që ata po ndjejnë pasojat e reformës në drejtësi, ata që nuk e pëlqejnë atë.

Ambasadorja Kim: Mendoj që e shfaqin veten me fjalët dhe veprimet e tyre dhe mendoj që populli shqiptar është i mençur – janë të mençur – dhe ata e dallojnë se kush është pro dhe kush është kundër reformës në drejtësi. Kur them këtë, nuk do të thotë se reforma në drejtësi nuk duhet kritikuar aspak. Shpresoj të mos ketë keqkuptim këtu. Për çdo reformë madhore, është me rëndësi të shqyrtohet seriozisht përparimi që ndodh dhe të bëhen korrigjime rrugës. Të këmbëngulësh se diçka është e përsosur dhe nuk mund të preket nuk është pozicion fort i mirë, nuk është i arsyeshëm. Pra ka hapësirë për kritika; shpesh mendoj për mënyrat për ta përmirësuar reformën në drejtësi por mendoj se ka një dallim midis kësaj dhe të pretenduarit se reforma në drejtësi është e kundërta ose të pretendosh sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të shpresosh se njerëzit do të humbin shpresën apo të pretendosh se reforma në drejtësi është ndërtuar për korrupsion. Sinqerisht, është çmenduri dhe mendoj shumica e njerëzve e kuptojnë këtë.

Lutfi Dervishi: Po citoj raportin vjetor të Departamentit të Shtetit, “Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryejnë abuzime ishin sporadike dhe jokonseguente. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët, personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale.” Pyetja ime është, “A shihni shenja se ditët e pandëshkueshmërisë po marrin fund?”

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka pasur disa ndjekje penale shumë të rëndësishme që janë shpallur nga SPAK. Filluan verën e shkuar dhe po i ndjekim këto me shumë kujdes dhe mendoj se kjo do të jetë një tregues i mirë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Lutfi Dervishi: Keni deklaruar që reforma në drejtësi është biznes. Sa larg apo afër e shihni ditën kur ambasadorja amerikane do t’i thotë një biznesmeni apo kompanie amerikane, nëse pyesin, ‘A mund të investoj në Shqipëri,” dhe përgjigja të jetë “po?”

Ambasadorja Kim: Shpresoj që do të jetë së shpejti.

Lutfi Dervishi: …gjatë mandatit tuaj?

Ambasadorja Kim: …Nuk e di sa kohë do të jem këtu, por shpresoj të jetë shpejt. Dhe, jam gjithmonë optimiste. Prirem të jem optimiste, por di edhe që optimizmi nuk mjafton; duhet të punosh fort dhe nuk është vetëm puna ime të punoj fort, e dini, jam vetëm një e huaj në vendin tuaj, ndaj në fund të fundit, e vendos populli shqiptar.

Lutfi Dervishi: Më lejoni të kaloj tek diçka tjetër, shumë interesante që ju thatë kur vjen fjala tek BE. Për BE-në, nuk është vetëm ajo që përfiton, por ka të bëjë më shumë me gjërat që duhen bërë, që duhet të bëni. Pra, këshilla është që duhet të bëjmë pjesën tonë, për t’u siguruar që demokracia të lulëzojë dhe që reforma në drejtësi të hedhë rrënjë të forta, por pastaj vjen pyetja: A është modeli shqiptar i reformës në drejtësi i rekomandueshëm për vende të tjera që vuajnë nga gjyqësorë të dobët dhe të korruptuar?

Ambasadorja Kim: Mendoj që çdo vend është i ndryshëm ndaj duhet marrë në konsideratë situata specifike nga një vend në tjetrin. E dini, po i kthehem diçkaje që ju thatë, jo thjesht reforma në drejtësi, por demokracia në përgjithësi dhe investimet, se çfarë mund të fitohet dhe çfarë duhet dhënë. Demokracia dhe e ardhmja e Shqipërisë, nuk do jetë një situatë ku dikush të ndërton një shtëpi dhe ti thjesht hyn të jetosh. Kemi të bëjmë me një projekt masiv, të vështirë. Ju dhe unë, kur them “ju,” kam parasysh popullin shqiptar dhe kur them “unë,” kam parasysh Shtetet e Bashkuara, dhe të gjithë miqtë tuaj anembanë botës, përfshi BE-në. Ky është një projekt që e ndërmarrim sëbashku dhe duhet të shtojmë tullat bashkë, tullë pas tulle, dhe të ndërtojmë një shtëpi dhe ju të jetoni në të dhe mendoj se do të ketë një kënaqësi shumë të madhe dhe një ndjenjë e thellë arritjeje si rezultat i kësaj. Nuk është një projekt që do t’ju jepet. Është një projekt që do t’ju duhet ta ndërtoni dhe ne do t’ju ndihmojmë.

Lutfi Dervishi: Flasim për investimet amerikane. Ka një memorandum mirëkuptimi për hidrocentralin e Skavicës. Kur pritet të finalizohet?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është në diskutime midis kompanive dhe qeverisë shqiptare, është në duart e tyre. Qeveria e SHBA ngriti kuadrin për këto lloj investimesh të mëdha dhe brenda së njëjtës orë, e bëmë realitet. Do të doja të shihja më shumë nga këto lloj investimesh. Kompanitë e mëdha kanë një tjetër lloj llogaritjeje kur investojnë në vende si Shqipëria, por treguesi i vërtetë i suksesit si destinacion për investime të huaja është nëse vendi është i aftë të tërheqë bizneset e mesme dhe të vogla, sepse ato lloj biznesesh duhet të shohin të gjitha rregullat dhe të kuptojnë nëse e përballojnë të jenë këtu, nëse do nxjerrin fitime. Asnjë nga këto kompani nuk e bën për bamirësi. Mendoj se nëse arrijmë të forcojmë sundimin e ligjit, nëse mund të sqaroni rregullat për të drejtat e pronësisë, dhe pastaj të tregoni se keni një system gjykatash që jep vendime të arsyetuara, të besueshme e transparente, do të keni shumë investime këtu. Nuk jemi atje ende. Ka ende shumë punë për të bërë.

Lutfi Dervishi: Nuk më pëlqejnë pyetjet hipotetike, por po i lejoj vetes një të tillë. Pesë vjet nga tani, çfarë do donit të thonit për reformën në drejtësi në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Shpresoj që 5 vjet nga tani do të jemi në gjendje të kthejmë sytë pas dhe të themi se ishte një fillim i mirë dhe shikoni sa shumë përparim kemi bërë. Shpresoj se pasja në sistem e gjyqtarëve që marrin ryshfet do të bëhet tërësisht e papranueshme, jo vetëm moralisht, por edhe nga pikëpamja e ligjit. Shpresoj që do të ketë një brez të ri prokurorësh, gjyqtarësh, avokatësh dhe qytetarësh që këmbëngulin për një standard më të lartë për Shqipërinë. Kur njerëzit thonë se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar, apo shqiptarët janë kështu e janë ashtu, mendoj se janë broçkulla dhe ka për qëllim të vrasë shpresën. Siç kam thënë, shpresa është një armë, është një mjet dhe jo diçka që do lejuar që të tjerët ta vrasin lehtë. Prandaj, shihni faktet, mendoni për të ardhmen tuaj, mendomni për fëmijët tuaj, shkoni në votime në 25 prill dhe votoni mbi atë bazë, nëse doni diçka me të shkuar që është turp t’ju përfaqësojë dhe që merr taksat tuaja si anëtar i parlamentit. Po të isha qytetare shqiptare, nuk do ta pranoja këtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara që janë në gjendje të ndihmojmë miken tonë dhe do të jemi gjithmonë në krah, por tani është pjesa juaj, duhet të vendosni. Keni kërkuar mendimin tonë, e kemi dhënë. Shpresojmë që do të dëgjoni.

Lutfi Dervishi: Folëm deri tani për atë që mund ta përmbledhësh me një fjalë, demokracinë – zgjedhjet, sundimi i ligjit, reforma nëd rejtësi. Le të flasim pak për mbrojtjen dhe po i kërkoj regjisë të tregojë një foto, Defender 21. Fotoja është në Rinas, tek Aeroporti Nënë Tereza, dhe pyetja është, ‘Cili është mesazhi i stërvitjes më të madhe ushtarake në rajon?’

Ambasadorja Kim: Mendoj që tregon se Shtetet e Bashkuara janë serioze. Kur themi se do të forcojmë marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët tanë, se kemi në plan të mbetemi aleanca ushtarake, forca ushtarake më e pashoqe në botë, për ta bërë këtë, duhet të stërvitesh, të praktikohesh dhe kjo është një nga ato ngjarje ku do të provojmë sa shpejt dhe efektshëm mund të sjellim trupa dhe pajisje nga e gjithë bota në Europë, sa shpejt dhe efektshëm mund t’i lëvizim ato drejt Detit të Zi dhe në fund të sigurojmë që, nëse ndonjëherë do të bëhet e nevojshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, që do të fitonim në çdo konfrontim ushtarak. Ky është synimi dhe zgjodhëm ta bëjmë këtë në Shqipëri sepse, e para, kushdo që sheh hartën do kuptojë rëndësinë gjeostrategjike të Shqipërisë. Mendoj edhe se ky është çasti i duhur për të ecur përpara në këto tre drejtime: demokraci, mbrojtje, biznes. E përsëris prapë, këto tre gjëra janë të lidhura, nuk janë të pavarura ndaj e presim me kënaqësi atë. Do të jenë deri në 6,000 trupa që do të vijnë. Koj do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme që do të kontribuojnë trupa dhe pajisje dhe besoj se stërvitjet do të zhvillohen në  rreth 30 pika të ndryshme nëpër 12 vende në Europën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor. Domethënë do të jetë diçka e madhe. Ka qenë e planifikuar shumë kohë përpara se të caktohej data e zgjedhjeve në Shqipëri ndaj nuk dua të ketë ndonjë konfuzion për këtë. Ka qenë…

Lutfi Dervishi: …një atmosferë sigurie e pasynuar …

Ambasadorja Kim: E di, njerëzit mendojnë për konspiracion… E dini, nëse shton sigurinë, më vjen mirë, por nuk ka qenë ai qëllimi. Dhe pastaj do të shihni shumë më tepër lëvizje pas zgjedhjeve. Do të vazhdojë deri në qershor. Në fakt janë një seri prej tre stërvitjesh të ndryshme ushtarake që mbivendosen mbi njëra tjetrën për të demonstruar gjëra të ndryshme. Javën e parë të majit ndoshta do kemi disa udhëheqës shumë të rëndësishëm që do të vijnë të vëzhgojnë…

Lutfi Dervishi: Udhëheqës ushtarakë apo politikë?

Ambasadorja Kim: Ushtarakë, por besoj se mund të ketë edhe disa civilë që do të vijnë. Mendoj se ka shumë interes tek Shqipëria nga Uashingtoni këto ditë. Është e pafat që koronavirusi na ka penguar të bëjmë shumë më tepër ballë për ballë, por mendoj që fakti që po mbështesim qartë zgjedhjet tuaja dhe mbështesim fort kompromis midis udhëheqësve politikë, dhe llogaridhënie nga të gjithë drejtuesit tuaj politikë, është një shenjë e rëndësishme. Mendoj se fakti që kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi historik dhe disa rezultate konkrete tashmë nga ai memorandum janë për t’u shënuar. Fakti që do të zhvillohet stërvitja më e madhe ushtarake ndonjëherë në Ballkanin Perëndimor është po ashtu domethënëse. Pra, nëse ndokush pyet nëse Shtetet e Bashkuara e kanë për zemër Shqipërinë, mendoj përgjigja është e dukshme: po!

Lutfi Dervishi: Sa e kënaqur jeni me angazhimin e Shqipërisë për të zbatuar premitimin e Uellsit për të shpenzuar jo më pak se 2% e PBB-së për mbrojtjen?

Ambasadorja Kim: Mendoj se Shqipëria po bën më të mirën për të qëndruar në drejtimin e duhur dhe duam ta mbajmë kështu, duam ta shohim Shqipërinë si çdo aleat tjetër, të bëjë më të mirën për të mbartur pjesën e saj të barrës dhe mendoj se pavarësisht sfidave nga situata me koronën, Shqipëria ka bërë punë të mirë.

Lutfi Dervishi: Më lejoni edhe nja dy pyetje nga pikëpamja personale, jo si diplomate e SHBA. Keni përmendur një këshillë nga babai juaj, që çelësi i suksesit në karrierë është të kërkosh shoqërinë e atyre që admironi dhe doni t’u ngjani dhe shmangni shoqërinë e atyre që nuk admironi dhe nuk doni t’u ngjani. Çfarë do të thoshte babai juaj kur ju sheh në shoqërinë e politikanëve shqiptarë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se çdo vend ka shumëllojshmëri njerëzish në politikë. Duhet të them se e shijoj shumë takimin me qytetarët e zakonshëm shqiptarë dhe përpiqem të dal sa më shumë që mundet dhe shpresoj që babai im do të vijë dhe të më vizitojë së shpejti. Mendoj se do t’i pëlqente shumë këtu dhe mendoj se do mendonte që ka shumë njerëz të admierueshëm në Shqipëri, shoqërinë e të cilëve duhet ta kërkoj.

Lutfi Dervishi: Dhe pyetja e fundit, folët për rolin e fatit dhe punës së fortë, të cilat bëjnë dallimin në fund të ditës. Çfarë i duhet më shumë shqiptarëve sot, më shumë fat apo më shumë punë?

Ambasadorja Kim: Mendoj të dyja.