Transmetuar më 14-04-2021, 23:15

Lëvizje të befta politike orët e fundit në Tiranë, me deklarata të cilat vijnë si surprizë për publikun.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje publikisht kreut demokrat që të punojnë së bashku, duke thënë se këtë e kërkon populli.

"Shqiptarët duan bashkim, duan që ne të gjithë të punojmë për ta dhe ekonominë e tyre përtej pandemisë, duke e lënë pas politikën e vjetër të sherrit, dasisë, konfliktit deri në absurd! Pse ti jo?".

I menjëhershëm reagimi sonte nga Lulzim Basha: "Në 25 prill shqiptarët do votojnë numrin 9 për ta larguar Ramën dhe ai nuk do jetë kurrë pjesë e qeverisjes sonë. Koha e tij ka mbaruar. Ne do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do fitojë".

Është e paqartë pse Rama iu drejtua sot Bashës me thirrjen për bashkim, pikërisht 10 ditë para zgjedhjeve dhe ndërsa çdo ditë nuk ka reshtur së përçmuar Bashën duke e konsideruar të paaftë dhe rrezik për vendin.

Ftesa kaq e hapur e Ramës, duket se është qartësisht e refuzuar në momentin që Basha deklaron se nuk do të qeverisë kurrë me Edi Ramën. /noa.al