Transmetuar më 15-04-2021, 17:30

Një histori sa e çuditshme, aq dhe mbresëlënëse. Një grua e moshuar, dikur, në kohën e Enverit, nxënëse shkolle, e dashuruar marrëzisht me mësuesin e saj që tani është 77 vjeç.

Ka ndodhur në Tiranë dhe bëhet fjalë për 67 vjeçaren K.B., e lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë, raporton noa.al që citon burime nga policia e Tiranës.

Kurse dashuria e paharrueshme e saj është 77 vjeçari T.T., edhe ai lindur në Korçë dhe banues në Tiranë.

Gjithçka nisi kur gruaja sot 67 vjeçe e telefonoi pak ditë më parë ish mësuesin e saj që jeton në Tiranë dhe i prezantohet si ish nxënësja e saj gjimnaziste, vitin e largët 1970. Ajo i ka kërkuar ta takojë dhe ai ka pranuar duke menduar se çfarë problemi ka.

77 vjeçari është takuar me 67 vjeçaren dhe kjo i ka shprehur menjëherë dashurinë e zjarrtë që ndjente për të, 51 vjet më pas edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ishin takuar kurrë. I kërkoi ta ndajë gruan që ka dhe të bashkohet me të, por ai e refuzoi.

Këtu nisën telashet. Nisën telefonatat dhe mesazhet ku e moshuara i kërkonte të njëjtën gjë. Pak ditë më vonë 67 vjeçarja i zë pritë në derë të shtëpisë. Sapo plaku doli dhe po futej në makinë, iu sul ti shprehte dashurinë.

Refuzimi e acaroi më shumë 67 vjeçaren e cila nisi ta kërcënojë deri edhe se do ta digjte me benzinë gruan e tij nëse nuk pranonte dashurinë e saj për të shoqin. Në nerv e sipër iu hakërrye edhe gruas së 77 vjeçarit duke e siguruar që do ia nxinte asaj.

Kjo situatë kaq e pazakontë ka detyruar 77 vjeçarin të kërkojë ndihmë në polici. Ai ka rrëfyer sesi ish nxënësja e tij, pas plot 51 vitesh që nuk ishin parë, ia ka shprehur dashurinë dhe ka kërkuar të ndahet me gruan e të lidhet me të.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se është marrë në pyetje 67 vjeçarja K.B., e cila ka rrëfyer se ishte njohur me 77 vjeçarin kur ai ishte mësues në juglindje dhe kishte krijuar një afeksion ndaj tij.

Kjo kishte ndodhur plot 51 vjet më parë dhe tani, gjysmë shekulli më vonë, 67 vjeçares i rikthehen zjarrshëm ndjenjat për 77 vjeçarin duke kërkuar ta ndajë nga gruaja dhe të bashkohet me të, ndërkohë që vetë është e divorcuar. /noa.al