Transmetuar më 18-04-2021, 16:09

Në 24 orët e fundit Kosova ka regjistruar 364 raste të reja me koronavirus nga 3,501 teste të kryera. Sipas autoriteteve të shëndetit në vend, brenda ditës humbën jetën si pasojë e sëmundjes edhe 11 qytetarë.

Numri total i rasteve pozitive është 101,517 raste nga 500,112 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2,072 është bilanci total i viktimave.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 529 pacientë kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 87,012 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12,433.

Por sipas raportimeve sot në orën 19:00 qeveria e Kosovës, pritet që të mblidhet për të shqyrtuar masat e reja anti-covid. Në këtë mbledhje pritet të lejohet hapja e objekteve hoteliere, restoranteve dhe bar kafeve që nga e hëna mund të punojnë deri në orën 22:00. Gjithashtu do të hapen edhe qendrat tregtare.

Ndërsa, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë, por tani nga ora 22:30 deri në 05:00.

Baret dhe restorantet e qendrat tregtare do të lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin e përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Masat e reja kufizuese do të vlejnë për 14 ditët e ardhshme. Kujtojmë se më 5 prill qeveria e vendit miratoi masat anti-covid që hyrën në fuqi më 7 prill dhe janë në fuqi deri në përfundim të ditës së sotme. /K.B/NOA.al