Transmetuar më 18-04-2021, 16:27

Ditë e veçantë sot për Mirush Kabashin, një ndër ikonat e rralla të teatrit dhe filmit shqiptar. Ai ka sot ditëlindjen. Aktori ka kaluar disa peripeci me shëndetin kohët e fundit, ndërsa ditëlindja e gjen thuajse në harresë.

Mund të jetë lënë në harresë nga autoritetet, që janë të fokusuara ndoshta nga fushata, por jo nga miqtë dhe publiku, me të cilët ai mban një lidhje të fortë shpirtërore, aq sa duartrokitet dhe adhurohet edhe më shumë sot, sa herë që i duhet të ngjitet në skenë.

Aktori i madh Mirush Kabashi lindi në  Shkodër, nga një familje gjakovare nga i ati, më 17 prill 1948, por u rrit në Durrës.

Sot ai mbush 73 vjeç. Më  1970 u diplomua në Institutin e Lartë  të  Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Aty, vazhdoi deri në  vitin 1994, duke kryer edhe detyrën e drejtorit, 1991-1993.

Me pas punoi ne Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues. Nga 2002 e në vijim ai ishte pjesë e Teatrit Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së  Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.

Mirush Kabashi ka interpretuar mbi 100 role në Teatër dhe 20 në kinematografi.

Figurat e mishëruara nga Kabashi spikasin për origjinalitet, finesë dhe elegancë.

/a.m/NOA.al