Transmetuar më 19-04-2021, 17:46

Aktori i njohur i skenës shqiptare, Guljem Radoja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacionin e Spitalit të Durrësit.

Aktori është infektuar prej ditës nga koronavirusi dhe ndodhet në reanimacionin e spitalit të qytetit në gjendje të rënduar shëndetësore.

Për rastin, ka reaguar edhe skenografi i njohur, Bashkim Zahaj, i cili bën apel që shteti të ndërhyrë për një mjekim më të specializuar jashtë vendit.

“Mesoj se Guljemi aktori jone i dashur qenka rende ne spitalin e Durresit nga covid. Shteti shqiptar i detyrohet ketij aktori per nje sherbim me te specializuar jashte shtetit. Uroj te rezistosh e te fitosh Guljem”, shkruan ai.

Guljelm Radoja në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma”, 1970. Të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës”, 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja”, 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë”, 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, 1989, apo roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

/a.m/NOA.al