Transmetuar më 20-04-2021, 00:28

Nga Mero Baze/ Nëse do ishte për zgjedhjet, Komiteti duhej të mbyllte kufirin me Kosovën dhe të linte hapur atë me Greqinë

Komiteti i Ekspertëve urdhëroi kufizime dy javore të kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas situatës së rënduar në dy vendet fqinje.

Opozitarët e Gjirokastrës e sulmuan vendimin si politik dhe e lidhën me ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që votuesit që vijnë në Jug të Shqipërisë janë në shumicë socialistë dhe e varrosin dhe më shumë opozitën, nëse do të kenë shans të votojnë.

Por kufizimi i lëvizjeve me Greqinë deri më 3 maj ka lidhje me një ngjarje e cila pashmangshmërisht do sillte në Shqipëri mijëra shqiptarë që festojnë Pashkët, pasi në Greqi janë kufizuar ndërkohë festimet e Pashkës ortodokse.

Por ajo për të cilën duhet kritikuar Komiteti i Ekspertëve, nuk është kufizimi me Greqinë apo Maqedoninë e Veriut, por lënia hapur e kufirit me Kosovën.

Po të ishte për qëllime elektorale, Edi Rama më lehtë e kishte të kufizonte lëvizjet me Kosovën, pasi votuesit e saj mund të jenë në shumicë kundër tij, dhe jo votuesit e Jugut.

Por kompleksi që ka Komiteti i Ekspertëve, ndoshta dhe vetë Rama, se mos kufizimi i lëvizjes me Kosovën, ngjall debate patriotësh, është i papranueshëm.

Në raport me pandeminë, shtetet nuk shikohen si vëllezër apo si fqinj, por vetëm si rrezik, në varësi të shkallës së infektimit.

Kosova dhe fundjavat e tyre drejt Shqipërisë këto kohë, përbëjnë rrezik.

Fakti që Komiteti i Ekspertëve kufizoi lëvizjet nga Greqia, të cilët lidhen me Pashkën ortodokse, dhe lejon qytetarët nga Kosova të vijnë në fundjavë në Shqipëri, tregon se vendimi nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e së dielës, dhe i vetmi efekt që ka mbi zgjedhjet, është pozitiv për opozitën.

Por ai mbetet një vendim gjysmak, pasi është vendim i kompleksuar pikërisht nga ajo lidhja që u bëjnë me zgjedhjet.

Por meqë u mor për shkak të pandemisë, mbylli Greqinë dhe Maqedoninë, dhe la hapur Kosovën pikërisht për zgjedhjet, që ne të kemi shans të shikojmë Albinin si voton të dielën në Tiranë, dhe pastaj të dëgjojmë dhe Tritanin që thotë “emigrantët e Greqisë do votonin atë, po nuk erdhën dot se nuk i la Rama”.