Transmetuar më 21-04-2021, 17:35

Pak orë pasi ndodhi ngjarja e sotme ku u vra një zyrtar shteti dhe u plagosën katër persona të tjerë, mes tyre një police, bëhet e qartë se e gjitha ishte një përgjakje e fushatës elektorale në vigjilje të zgjedhjeve në përplasje mes mbështetësve të PS dhe PD.

Si nisi ngjarja

Pasdrekën e sotme, drejtuesi politik për Elbasanin, Gazment Bardhi dhe anëtarët e grupit të fushatës për këtë qark, morën sinjale se një makinë e zezë që e shihni në fotogalerinë që shoqëron këtë speciale të noa.al, ndodhen në lagjen 5 Maji, ndër më të populluara dhe më të varfrat në qytet.

Grupi elektoral kishte dyshime të shumta se në makinë gjendeshin të holla dhe karta identiteti dhe njerëzit në mjet, ishin duke i shpërndarë për shitblerje votash në favor të PS.

Makina është penguar të ikë e po ashtu dhe personat që gjendeshin në të.

Bardhi ka njoftuar policinë dhe disa media që erdhën aty. Pak minuta më vonë afrohet një tjetër makinë dhe në çast nis një konfrontim i ashpër mes mbështetësish të PD dhe PS.

Në këtë ngjarje kërciti arma nga prani e njerëzve të armatosur. I vrarë mbeti Pjerin Xhuvani, Drejtor I Fondit të Detyrueshëm Shëndetësor Elbasan, njohur si mbështetës i PS.

Pjerin Xhuvani

Xhuvani ishte denoncuar nga PD se bashkë me tre persona të tjerë ishte përfshirë në konflikt të dhunshëm kundër përkrahësve të Bashës Ditën e Verës në Elbasan.

Më herët ai ishte akuzuar nga opozita edhe për laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit, ndërsa është njohur si aktivist i PS-së.

Në ngjarjen e sotme u plagosën në gjendje serioze edhe katër persona: Eltion Bodinaku, Emiljano Prenga, Paolo Vuksani dhe Xhensila Sota, punonjëse e Policisë e forcës së posacme “Shqiponjat”, raporton noa.al.

Në foto shikoni policen Sota në spital ky shkoi socialisti Taulant Balla, drejtues politik i qarkut Elbasan.

I plagosuri Emiljano Prenga është dhëndri i viktimës Pjerin Xhuvani që u ekzekutua ditën e sotme në qytetin e Elbasanit.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në praninë e efektivëve dhe zyrtarëve të Policisë. Atje ndodhej dhe nnëndrejtori  Policisë së qarkut Elbasan, Albert Nushi. Ata kishin shkuar pasi më herët në sallën operative kishte mbërritur thirrja se një mjet ka qenë duke shpërndarë lekë për vota.

Pak minuta pas krimit, janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen.

Po ashtu është arrestuar 56 vjeçari Arbër rbër Papleka, që policia tha se është autor i vrasjes, ish punonjës policie. Aktualisht ai ndodhej në mbështetje të fushatës elektorale të PD në Elbasan.

Papleka si ish-efektiv policie, më parë ka punuar në drejtorinë e policisë Shkodër oficer krimesh nga 2007-2013.

Më pas ka kaluar duke u bërë pjesë e RENEA-s nga 2013-2019, ndërsa për një periudhë kohe ka punuar edhe në ambasadën amerikane në grupin e sigurisë.

Zyrtarisht policia tha se po vazhdon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Simpatizanti i PS-së, Klement Xhaferri është shpallur në kërkim.

Xhaferri u bë i njohur pak vite më parë nga përplasja me policinë para tregut Agro-Ushqimor të Elbasanit. Xhaferri, i njohur edhe si Kel Çami u denoncua nga drejtuesi politik i PD-së në Elbasan Gazment Bardhi pas përplasjes në ditën e Verës.

“Kelmend Ymer Xhaferri (pseudonimi Kel Çami) ka qenë më parë i dënuar për disa vepra penale dhe i përfshirë në incidentin kundër punonjësve të policisë në Elbasan tek Tregu Ushqimor, duke thyer me forcë postobllokun e policisë”, – deklaroi Bardhi.

Nga dinamika e ngjarjes dhe personave  përfshirë në të, është e qartë se kemi të bëjmë me një konflikt për motive politike dhe me frymë urrejtjeje mes PD dhe PS duke arritur deri në luftë mes përkrahësve partiakë që solli një të vrarë dhe katër të plagosur.

Shihni pamjet menjëherë pas krismave