Transmetuar më 24-04-2021, 00:01

E shtuna e sotme, 24 prill 2021, shënon heshtje elektorale në të gjithë vendin. Partitë politike kanë detyrim ligjor të mos kryejnë asnjë veprimtari që lidhet me zgjedhjet.

Sot, është kohë reflektimi për çdo shqiptar. Secili nga ne, këto 24 orë janë më të ftohtë në logjikim dhe kjo periudhë tranzicioni na shërben të jemi më të qetë për të vendosur se çfarë do të bëjmë të dielën.

Ditën e diel për 12 orë rresht, qendrat e votimit do të jenë të hapura në të gjithë Shqipërinë për të pritur votuesit.

Të dielën është fjala jonë. Kur të gjithë politikanët janë të obliguar me ligj të heshtin, ne kemi të drejtën absolute për të vendosur.

Këtë 25 prill ne vendosim për të zgjedhur një Parlament të ri. I cili çon në krijimin e një qeverie të re.

Shqiptarët janë të ndarë. Disa duan vazhdimësinë e pushtetit 8 vjeçar aktual. Disa të tjerë duan ndryshim dhe kërkojnë një kryeministër tjetër, të paprovuar deri tani për këtë post.

Pas mbylljes së kutive të votimit, orët në vijim do të jenë të ethshme. Shqiptarët do ta kenë bërë zgjedhjen e tyre, por do të duan të mësojnë cila do të jetë zgjedhja më e votuar vazhdimësa, apo ndryshimi.

E rëndësishme është që çdo rezultat të sjellë një të hënë dhe ditët e tjera në vazhdim, të qeta dhe me prosperitet. Larg dhunës dhe pasigurisë që ky popull e ka vuajtur shumë për vite të tëra.

Këtë të diel, noa.al nis maratonën zgjedhore e cila do të përfundojë derisa të ravijëzohet qartë, rezultati i votimit.

Redaksia do të sjellë saktë dhe shpejt informacionet për gjithçka lidhet me procesin zgjedhor, pjesëmarrjen, rezultatet dhe reagimet.

Tek noa.al do të gjeni në kohë reale shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe pas mbylljes së votimeve, rezultatet në kohë reale.

Na ndiqni në www.noa.al dhe në rrjetet sociale Facebook, Instagram, Twitter dhe LinkedIn.