Transmetuar më 29-04-2021, 12:39

Deri te firma në kontratë rruga është ende e gjatë. Por tani te Barcelona jetohet me optimizmin se janë të gjitha kartat në rregull për të bindur Lionel Messi të qëndrojë. Në klubin katalunjas kanë nisur “manovrat e mëdha’ për rinovimin e yllit argjentinas.

Mediat spanjolle akujt janë shkrirë me takimin e parë mes presidentit Johan Laporta dhe babait-menaxher të futbollistit. Duke qëndruar në atë që raporton e përditëshmja shumë pranë Barcelonës, “El Mundo Deportivo” biseda ka qenë formale.

E thënë më qartë, nuk është biseduar në terma financiarë. Por edhe kaq mjafton për të konfirmuar faktin se ndryshe nga krisja e madhe e një sezoni më parë, tashmë palët janë afruar sërish dhe Messi duket i bindur për të vazhduar karrierën me skuadrën “blaugrana”.

Rizgjedhja e Laporta si president është një arsye e fortë, por nuk mund të minimizohet ecuria në pjesën e dytë të sezonit, ku Barcelona u kthye bindshëm në garën për titull. Financat do të jenë të rëndësishme, por fakti që Messi është kthyer në qendër të skemave taktike të trajnerit Koeman dhe projektit për të ardhmen e klubit, duket se i mjaftojnë për të rinovuar kontratën e tij./K.B/NOA.al