Transmetuar më 29-04-2021, 23:37

Nga Ilir Alimehmeti

“Ujku, ujku … varianti, varianti … dopio mutanti.”

Stop me  Varianto-Terrorizmin ju lutem!

Le të dëgjojmë shkencën çfarë thotë mbi variantin e interesit B.1.617 (varianti Indian).

Le të kujtojmë se ky është një ndër mijëra variantet e deritanishme dhe praktikisht kjo do të thotë që do të ndiqet, do të studiohet, do të analizohet dhe do të vlerësohet nëse ka risk për trasmetueshmëri, sëmundshmëri apo vdekshmëri më të shtuar.

Por këtë do ta bëjë shkenca, jo media.

Çfarë dimë deri më sot?

OBSH e quan Variant Interesi, pra nuk ka shkuar as në nivelin e Variantit Shqetësues.

Sigla zyrtare është B.1.617.

Paraqet dy mutacione zëvendësuese: L452R dhe E484Q.

Pyetjet që bën çdokush janë:

A e kapërcen mbrojtjen imunitare nga kalimi natyror i infeksionit?

A e kapërcen mbrojtjen imunitare nga vaksina?

Shkenca na vjen sërish në ndihmë!

Studiuesit e Këshillit Indian të Kërkimit Mjekësor në Institutin Kombëtar të Virologjisë në Indi kanë studiuar pikërisht reagimin në gjakun e:

personave që e kanë kaluar sëmundjen (variante të tjera), dhe

personave që janë vaksinuar me BBV152 (Covaxin).

Kujdes:

Në Indi përdoret vaksina Covaxin (virus i inaktivizuar) me efikasitet rreth 78% sipas burimeve mediatike e si rrjedhojë është mundur të studiohet vetëm kjo vaksinë.

Rezultatet:

PERSONAT QË E KANË KALUAR SËMUNDJEN MË PARË E NEUTRALIZOJNË VARIANTIN INDIAN.

PERSONAT QË JANË VAKSINUAR ME COVAXIN E NEUTRALIZOJNË VARIANTIN INDIAN.

Imuniteti funksionon, si ai natyror, si ai pas vaksinimit!

Kështu që miqtë e mi, besojini natyrës dhe shkencës, dhe fikni televizorët!

Natën e mirë dhe mos e zëvendësoni shprehjen “Fli shpejt, se erdhi gogoli” me “Fli shpejt, se erdhi dopio mutanti”!

/a.m/NOA.al