Transmetuar më 05-05-2021, 20:46

Ekspozohen për herë të parë, fotografi me rezolucion të lartë të gurit të Qabes, në qytetin e shenjtë të Mekës.

Imazhet e al-Hajar al-Aswad, ose Guri i Zi, janë deri në 49 000 megapiksel në madhësi dhe u deshën më shumë se 50 orë për t’u fotografuar.

Agjencitë inxhinierike të dy xhamive të shenjta realizuan 1050 foto të gurit, secila prej tyre 160 gigabajt. Guri i shenjtë u fotografua për shtatë orë, thanë autoritetet.

Një anëtar i departamentit të studimeve Islame, në Universitetin e Oksfordit, tha për CNN se është hera e parë që ka imazhe dixhitale të zmadhuara të gurit, për ta parë atë më nga afër dhe për të kuptuar që nuk është në të vërtetë i zi, siç thuhet.

Guri është i vendosur në cepin lindor të Qabesë. Ai daton që nga koha e Ademit dhe Havasë (Adami dhe Eva). Ky gur ka rënë nga Xheneti (Parajsa) që ti tregoj Ademit dhe Havasë ku të ndërtojnë një faltore. Haxhinjtë sillen rreth Qabesë si pjesë e ritualit të Tavafit, që është pjesë e Haxhit. Shumë prej tyre, nësë është e mundshme, ndalen dhe e puthin Gurin e Zi. Nësë nuk e arrijnë atë, ata me dorën e djathtë e përshëndesin gjatë secilit prej 7 rrotullimeve rreth Qabesë.

Guri është i përshtatur me argjend të pastër në këndin juglindor të Qabes (Ka’bah), ndërtesa në formë kubi e ndërtuar, sipas Kur’an-it, nga Ibrahimi dhe djali i tij Ismaili.

Meka është qendra shpirtërore e Islamit dhe në të çdo vit, kryhet pelegrinazhi më i rëndësishëm vjetor. Gjatë Haxhit, adhuruesit e Zotit ecin në drejtim të kundërt të orës rreth gurit të zi, duke prekur apo puthur al-Hajar al-Aswad kur kalojnë pranë.

Sipas studiuesve të Islamit, guri fillimisht ishte i bardhë, jo i zi. Mendohet se njerëzimi duke prekur gurin dhe duke kërkuar falje nga Zoti, u shndërrua si i zi, duke pasqyruar mëkatet e njerëzimit.