Transmetuar më 06-05-2021, 09:25

Shumë vite më parë, ishte një dhe i vetmi për ca kohë, një moderator që nxirrte pará jo vetëm me reklamat, por edhe nga të ftuarit në emision.

Ky precedent u kthye në metodë pune dhe tani, thuajse të gjitha TV, monetizojnë emisionet e tyre qoftë nga moderatorët e qoftë nga departamentet e tyre të reklamave, duke grumbulluar shuma të mëdha, sidomos nga partitë.

Këto fakte i evidenton avokati Endrit Shabani, kandidat për deputet i Nismës Thurje, një forcë politike risi e cila mori mbi 10200 vota,të mjaftueshme për të nxjerrë një deputet, por që për shkak të Kodit elektoral, e humbi atë.

Endrit Shabani nxjerr në pah atë që e cilëson financim jotransparent të televizioneve private në Shqipëri, duke marrë pará nga shteti dhe subjekte private, në gjithfarë mënyrash.

Shabani thotë se gjatë muajit elektoral, partitë e vogla dhe forcat e reja politike nuk gjetën hapësirë në TV ndërkohë që partitë e mëdha ishin agresivisht prezentë.

"Ka nga ata që thanë se një televizion privat ‘fton kë të dojë dhe s’mund t’i kërkosh llogari’, por unë nuk jam dakord. E para, do ishte mirë të bëhej transparente nëse pagesat nga tre mijë, 10 mijë apo 25 mijë euro për emisionet në televizionet private janë paguar duke respektuar legjislacionin tatimor apo ligjin për median audiovizive. Publiku ka nevojë ta dijë cila ka qënë reklamë e paguar dhe cila jo", vëren Shabani.

"E dyta, televizionet vërtet mund të jenë private por ne iu kemi dhënë një pasuri publike, siç është liçenca kombëtare e transmetimit. Ne jemi rrethuar nga antena transmetuese dhe ri-transmetuese, pikërisht që ata të zhvillojnë biznesin e tyre për informimin e publikut. Ne si publik, do duhet ‘t’ia shohim hajrin’ kësaj pasurie publike".

"Dhe e treta, ne iu japim vazhdimisht para publike televizioneve private. Vetëm dy vite më parë iu dhamë 4 milion euro për dixhitalizimin e tyre, por ndihma ka qënë e vazhdueshme. Prandaj edhe televizionet private kanë përgjegjësi publike që dalin përtej hapësirës së reklamës, qoftë kjo e hapur apo e fshehtë".

Shabani thotë se "pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe informimi i publikut për të gjitha ofertat politike në zgjedhje, dhe Nisma thurje ishte një prej tyre".