Transmetuar më 06-05-2021, 13:08

Thellohet bilanci i krimit në Elbasan, ku një ish-polic akuzohet se vrau gruan e tij, ndërsa plagosi edhe dy kalimtarë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Gjykatës së Elbasanit.

Autori i dyshuar është Koço Buzo, 58 vjeç, një polic në pension. Viktima është Liliana Buzo, 54 vjeçe.

Mësohet se çifti ishte në proces divorci, pas mosmarrëveshjeve për motive xhelozie.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, kur Koço Buzo 58 vjeç, sipas policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. Buzo, 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., 57 vjeç i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Dalin detaje të tjera

Gjithçka ka ndodhur pas seancës së divorcit mes tyre, ku pasi ka dalë jashtë Koço Buzo ka nxjerrë armën duke e vrarë në vend bashkëshorten e tij.

Por, nuk është mjaftuar me kaq. Pasi vrau bashkëshorten, Buzo ka qëlluar me armë edhe ndaj një punonjësi policie si edhe avokatit Gëzim Toçila duke i lënë të plagosur.

“Mes bashkëshortes Liljana Buzo dhe Koço Buzos ka patur një proces divorci në gjykatën e Elbasanit. Pasi kanë dalë nga gjykata, Koço Buzo, ish-punonjës policie ka shkuar ka marrë një armë tip kallashnikov duke e vrarë në vend. Po ashtu kanë mbetur të plagosur një punonjës policie dhe avokati Gëzim Toçila që dyshohet se ka qenë avokati i gruas së vrarë në këtë proces divorci. Pas ngjarjes, Koço Buzo është arrestuar në kohë rekord nga policia”,

Pasi shkarkoi të gjithë karikatorin ndaj bashkëshortes dhe punonjësit të policisë, Buzo ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes por është arrestuar nga forcat e rendit.

K.B/NOA.al