Transmetuar më 06-05-2021, 16:46

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në njësinë Guri i Zi, bashkia Shkodër.

Një 10-vjeçar me inicialet N.Y, ka humbur jetën në mënyrë aksidentale, teksa po tentonte të bënte një video, sikur po vetëvritej, me qëllimin për ta hedhur në rrjetin social Tik Tok.

Kjo tentativë e 10-vjeçarit, e nisur si një shaka, përfundoi në një tragjedi.

I mituri me iniciale N.Y., ndodhej i vetëm në atë moment, kur po tentonte të realizonte videon dhe papritur diçka nuk ka shkuar mirë për të, duke bërë që të humbë jetën në vetëm pak minuta.

Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur të vetëvarur 10-vjeçarin, i cili ishte nxënës i shkollës “Atë Gjon Karma” në njësinë Guri i Zi.

Familjarët janë munduar t’i japin ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur, pasi fëmija kishte humbur jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga hetimet paraprake rezulton se 10-vjeçari, ka dashur të bëjë një video në Tik Tok, sikur po vetëvritej.

Por mjeti ku ai kishte hipur, i ka lëvizur dhe në këtë mënyrë ai ka mbetur i varur, në pamundësi për të gjetur një rrugë shpëtimi, duke gjetur vdekjen.

Mësohet se 10-vjeçari ishte edhe një nxënës i mirë në mësime. Ngjarja ka tronditur tërë zonën dhe shkollën ku ai mësonte, ndërsa është paralajmëruar shpesh rreziku që u kanoset fëmijëve nga rrjetet sociale.