Transmetuar më 13-05-2021, 16:18

Pak ditë pas ndarjes nga jeta të "Artistit të Merituar” Guljelm Radoja, i biri Redi është rikthyer në teatër, në skenën ku u rrit së bashku me të atin.

Emocionet zgjohen, gati koha ka ndaluar aty, kur i ati e merrte në provat dhe ai çapkën kishte shpalosur talentin që trashëgonte nga i ati. "Më duket e pabesueshme, nuk e kam pranuar ende largimin e itj, më duket se do të dalë sërish në skenë, do të shfaqet në teatër prapë e do ikin së bashku për në shtëpinë tonë’’- thotë Redi Radoja në një intervistë për News 24.

Djaloshi i cili jeton në Francë prej vitesh ku punon si pianist ka ndarë emocionet njerëzore, ashtu siç ai e njihte babain, ndryshe nga publiku që e njeh nëpërmjet roleve të filmave të skalitur në mendjen e të gjithëve.

"Mjekët i bënë gjithçka, ministrja e Shëndetësisë më mori në telefon e më tha që nëse ne si familje do të donin ta kuronim jashtë shtetit, do të ndërhynte ministria, por ne si familje menduam që të gjitha shërbimet po i kryheshin këtu në spitalin e Durrësit ku po kurohej nga disa mjekë. Babai pësoi dy herë goditje autoimunitare. Nuk mundi të më lërë një amanet, por ne flisinim me sy, pasi ai s’pati më fuqi të komunikonte me ne", – thotë Redi.

Guljelm Radoja njihej si qytetari rebel, aktori i pakompromis. Guljelm Radoja ishte duke kryer prova ndërsa Redi jo më shumë se 5-vjeçar merr nga ambientet e rekuizitave një beretë të cilën e çon në shtëpi. Arrestimi i gjyshit të tij për agjitacion e propogandë ka lënë gjurmët në jetën e familjes.

Babai ishte i thjeshtë, popullor, nuk i ka pëlqyer pompoziteti e ndoshta për këtë arsye na la manet që edhe ceremoninë e varrimit ta kishte private, pa u kryer homazhe", – zbulon ai.

Djali i dy artistëve, pasi nëna e tij është një violençeliste e njohur, Redi, thotë se ishte babai i tij që i kërkoi të mos e ndiqte në rrugën e aktrimit.

Prej disa vitesh ata banojnë në një banesë sociale të dhënë nga bashkia pasi shtëpia ku jetuan gjithë jetën i kaloi ish-pronarit. Duket se dalja i pastrehë nuk u përjetua mirë nga familja e Guljelmit i cili rrallë e më rrallë  është parë në teatër vitet e fundit. Daljet publike i takonin në Durrës, homazheve dhe përcelljes së miqve të tij. "Nuk e thërrisnin më, brezi i tij ka patur probleme", – thotë i biri.

‘’Vëmendja e qeverisë ndaj artistëve të këtij kalibri ka munguar. Nuk ka qenë e duhura’’, – shton ai.

Në kinematografi Guljelm Radoja ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj. Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.