Transmetuar më 14-05-2021, 11:34

“Midis një Partie Demokratike të zbritur në fushën e betejës vetëm me zjarrin dhe pasionin e shpirtit dhe misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe përballë me një kundërshtarë i cili riktheu të gjitha praktikat dhe metodat e regjimit të përmbysur në vitin 1992.

Padiskutim tmerri i kundërshtarit ishte në përmasat më të larta që ka patur ndonjëherë. Dhe kjo është arsyeja se pse betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë, Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vet atij kodi që votuan në mënyrë të njëanshme më 5 tetor, me punësime masive të paligjshme dhe të rreme.

Me presione të tmerrshme kriminale ndaj administratës, ndaj biznesit, ndaj sipërmarrjes në tërësi, ndaj familjeve të qytetarëve, ndaj mësuesve, ndaj mjekëve dhe ndaj personelit shëndetësorë në tërësi. Si me angazhimin e zakonshëm të aradheve të kriminelëve, të cilët bënin natën të vetmen fushatë të Edi Ramës, blerjen e votave nën kërcënim derë më derë.

Kjo është tabloja e qartë që është shpalosur tashmë anembanë vendit. Për herë të parë ndoshta në histori, demokrat e socialist janë të një mendje pavarësisht se njëra palë e thotë me zë të lartë, e tjetra me zë të ulët.

Vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata. U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim.

Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier. Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo.

Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e  plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të  njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata.

Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej  ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë  politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton! Sepse beteja ishte për shqiptarët, sepse beteja vazhdon të jetë për shqiptarët”, tha Basha në Fier.