Transmetuar më 14-05-2021, 12:11

Kontrollohet dhe çohet në prokurori qytetari i thjeshtë, i cili akuzohet se ka ndërtuar një ballkon apo një shtesë brenda ndërtesës së tij, ndërsa nga ana tjetër i shpëtojnë “vëmendjes” së shtetit komplekse, lokale, pallate dhe hotele që ndërtohen pa leje, kryesisht në bregdet.

Përfshirjen e policisë në kontrollin e ndërtimeve pa leje, kryeministri Edi Rama e argumentoi si një fazë tjetër për parandalimin e katastrofës së ndërtimeve pa leje, në të gjithë territorin.

“Sot vëmë një theks shumë të fortë te kalimi te një fazë tjetër për të vendosur kontroll në mbrojtjen e territorit nga ndërhyrjet dhe aktivitetet e paligjshme. Qëllimi është për të rritur vetëdijen dhe përgjegjësinë e Policisë së Shtetit në raport me këtë aspekt kaq të rëndësishëm të qeverisjes dhe detyrimeve që ka shtetit ndaj vendit dhe qytetarëve”, theksoi kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama foli sot lidhur me ndërhyrjet e bëra në kodin penal, për frenimin e këtij fenomeni.

Rama tha se qeveria kërkon një paketë të re aktesh nënligjore ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojë të jenë të qarta për të gjithë.

“Është e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë këtu se çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër duke cenuar pronën publike apo private, Duke cenuar planet e zhvillimit dhe buxhetin e shtetit. Kemi ndërtime me leje që bëhen vatra abuzimi”, u shpreh kryeministri.

Policia e Shtetit e ka kapacitetit ta kontrollojë territorin. Sipas kryeministrit Rama, këtë e tregon një fakt i thjeshtë dhe sakëlldisës.

“Kur vjen puna për një mur, një çati në fund të botës gjendet polici që shkon atje dhe i kërkon llogari qytetarit. Ndërsa kur vjen puna për ndërtime në buzë të rrugës, në zonën bregdetare nga Velipoja në Sarandë nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm. Ju e kuptoni mirë psenë e këtij kontrasti. Duhet të fokusohemi te fakti që policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë mburojë në 28 mijë kilometrat”, tha kryeministri Rama.

/a.m/NOA.al