Transmetuar më 18-05-2021, 21:03

Një foshnjë është gjetur gjallë pranë një pallati shumë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Fëmija i gjinisë mashkull ishte krejtësisht i zhveshur dhe pranë tij gjendej një thikë dhe njolla gjaku.

Zbulimi tronditës që noa.al konfirmoi në Policinë e Tiranës, është bërë nga një djalë 25 vjeçar i cili e ka gjetur beben në atë gjendje dhe e ka marrë në krahë duke e mbuluar me veshjet e tij.

Menjëherë më pas ka shkuar në shtëpi dhe është përpjekur ta ngrohë me sa mundte fëmijën e gjorë që e gjeti lakuriq në orën 7 të mëngjesit të së shtunës 15 maj 2021.

I riu R.V., ka telefonuar ambulancën dhe policinë dhe pas disa minutash fëmija është dërguar në maternitetin "Koço Gliozheni" në Tiranë. Noa.al mëson se foshnja është futur në inkubator ku edhe ndodhet ende.

Djaloshi ka treguar për policinë se teksa shkonte në garazhin pranë shtëpisë, dëgjoi të qarat e një fëmije. Kur u afrua pa beben që ishte pa rroba dhe e mori në krahë, por i sapolindur nuk po pushonte së qari ndaj e çoi në shtëpi.

Policia mësohet se ka gjetur në vendngjarje pjesë placente të fëmijës, njolla gjaku dhe një thikë. Sakaq ditën e sotme ekspertët e hetimit kanë shkuar në maternitetin ku ndodhet bebja dhe kanë marrë prej saj mbetje biologjike për ti analizuar në laboratorin kriminalistik.

Materniteti ku gjendet bebja e braktisur

Ngjarja po hetohet pa autor me akuzën e vrasjes së foshnjës e mbetur në tentativë, ndërsa po bëhen përpjekje për të identifikuar nënën e vogëlushit që e la në atë gjendje dhe u zhduk në drejtim të paditur. /noa.al

Foto arkivi