Transmetuar më 19-05-2021, 15:38

Shpenzimet në rritje të qeverisë shqiptare kanë sjellë rigjallërimin e ekonomisë dhe rrtijen e investimeve. Në analizën e raportit të fundit të politikës monetare, BSH vlerëson se investimet po mbështeten nga projektet publike për rindërtimin, nga rritja e aktivitetit kreditues, si dhe nga norma e ulët e interesit. Deri në fund të muajit prill qeveria kishte shpenzuar rreth 170 miliardë lekë.

Shpenzimet kapitale, përfshirë edhe ato për rindërtimin, shënohen rreth një të katërtën më të larta se një vit më parë. Kjo rritje e shpenzimeve nuk duket se është e mbështetur nga të hyrat fiskale, të cilat edhe pse të larta krahasuar me planin e korrektuar, mbeten përsëri të pamjaftueshme për këtë rritje shpenzimesh. Edhe deficit buxhetor nuk është rritur më shumë se një për qind.

Lind pyetja, po nga kanë ardhur paratë e shpenzuara?

Investimet u ndikuan sidomos nga kontributi i lartë pozitiv i sektorit publik, ndërsa investimet private ishin sërish në rënie. Rindërtimi po shënohet si kantieri më i madh i punës në 30 vitet e fundit.

Shqipëria garantoi 295 milionë euro grante dhe mbi 850 milionë euro kredi, nga 50 vende pjesëmarrëse në konferencën e donatorëve. Sot janë tërhequr 100% të granteve. Janë 300 milionë euro në projekte dhe transferta buxhetore, duke nënshkruar të gjitha marrëveshjet e grantit, 18 të tilla, për zbatimin e 32 projekteve konkrete të financuara nga donatorët.

Sipas burimeve zyrtare, janë në proces për 250 milionë euro kredi të buta. Janë rreth 45 mijë familje që kanë përfituar e përfitojnë drejtpërsëdrejti nga këto programe, në 11 bashkitë e zonave të dëmtuara. Nga ana tjëtër, qeveria ka vendosur 62 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në funksion të Programit të Rindërtimit.

Sot mbi 45 mijë punëtorë punojnë në mbi 3200 kantierë shkollash, çerdhesh e kopshtesh, qendrash shëndetësore e spitalesh, shtëpish individuale dhe pallatesh, lagjesh të reja dhe infrastrukturë. Ndërsa rreth 450 kompani kanë kontrata me njësitë e zbatimit të projekteve që janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës.

Janë pikërisht këto investime që sjellin tregues në rritje të ekonomisë shqiptare, edhe pse pandemia nuk i ka liruar të gjitha kapacitetet si përpara COVID-19.