Transmetuar më 20-05-2021, 06:37

Prek Nika, një nga peshkatarët më të vjetër në zonën e Lezhës është i dëshpëruar. Çdo natë, brigada e tij peshkimit del në lagunën e Merxhanit dhe hedh rrjetat për peshk dhe ngjala, por në to bien më së shumti gaforre blu.

“Këto gaforre janë shumë grabitqare,” shpjegon Nika. “Kanë shkatërruar të gjitha gjallesat e tjera ujore, përfshirë dhe peshkun e ngjalat, për të cilat ne jemi të interesuar,” shton ai.

Një specie endemike që gjendet kryesisht në gjirin e Meksikës në bregdetin perëndimor të oqeanit Atlantik, gaforrja blu është shfaqur prej një dekade në ujërat shqiptare, si pasojë e ngrohjes globale. Kjo specie invazive, e cila gris rrjetat dhe dëmton faunën, është kthyer gjatë viteve të fundit në një kokëçarje shtesë për peshkatarët nga zona e Lezhës, të cilët e sigurojnë mbijetesën duke peshkuar në lagunë.

“Po na dëmtojnë rrjetat, bien tonelata gaforre dhe ata grisen,” ankohet Prek Nika, i cili shpjegon se një rrjetë kushton nga 20 deri në 30 mijë lekë.  Nika thekson se kjo specie nuk gjen treg në Shqipëri dhe sjell kosto të mëdha për peshkatarët.

“E nxjerrim në breg që të ngordhë e pastaj e hedhim sërish në ujë, të paktën që të mos shumohet,” tha Nika. “Kjo situatë po na çon drejt falimentimit,” shtoi ai.

Gaforrja blu mund të arrijë në një gjerësi deri 23 centimetra. Ajo ka ngjyrë të theksuar bojëqielli, me pinca dhe kthetra në ngjyrë të kuqe.

Eksperti i mjedisit, Jak Gjini thotë se gaforrja blu ka hyrë në ujërat e Ballkanit prej viteve ‘90, nga Greqia ose Kroacia dhe gjatë viteve të fundit është përhapur në masë të madhe në ujërat shqiptare. Sipas Gjinit, kjo gjallesë ka dëmtuar ekuilibrat e ekositemit të zonave ligatinore.

“Ato shumohen në grykëderdhje dhe në brigje dhe kanë prishur shumë ekulibrat e popullatave të gjallesave në laguna, sidomos tek peshku,” thotë Gjini.

Në qarkun e Lezhës numërohen tre laguna – ajo e Kune-Vainit, laguna e Merxhanit dhe ajo e Patokut, ku shumë familje e kanë të lidhur jetesën me sektorin e peshkimit, ndaj dhe prezenca e gaforres blu shihet me mjaft shqetësim.

Kreu i Inspektoriatit të Peshkimit, Ali Baze thotë se shfaqja e kësaj specieje invazive e ka dëmtuar sektorin e peshkimit.

“Normalisht kjo prezenca e gaforres po e dëmton shumë sektorin e peshkimit, pasi ka rënie të sasisë së peshkut në laguna,” theksoi ai.

Baze theksoi se kjo specie nuk shqetëson vetëm për Lezhën, por është bërë problem në të gjithë bregdetin shqiptar.

“Gaforrja blu ka pushtuar në pjesë të madhe të lagunave të vendit tonë, përfshirë edhe ato të Lezhës,” tha ai.

“Shqetësimin na e kanë prezantuar brigadat e peshkimit, por e vetmja zgjidhje është gjetja e tregut për gaforren, sepse është e pamundur që ta zhdukim,” shtoi Baze.

Gjon Lloshi, i cili prej 25 vitesh e siguron jetesën falë peshkimit, thotë se pushtimi i lagunës nga gaforrja blu e ka bërë punën e tij shumë të vështirë gjatë viteve të fundit.

“Ka të paktën tre vite që sasia e peshkut që kapim ka rënë shumë,” tha Lloshi. “Të them të drejtën këtë periudhë vetëm po mbijetojmë dhe nuk e di si do shkojë kjo punë, pasi kjo specie e ka copëtuar gjahun,” shtoi ai.

Peshkatarët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit që të sigurojë një treg për krustacin pushtues.

“Në këtë situatë që jemi ne, duhet të ndërhyjë shteti që të na sigurojë treg për gaforren, sepse nuk po shohim zgjidhje tjetër,” tha Prek Nika. “Në mungesë të peshkut, të paktën të tregtojmë gaforren,” shtoi ai.

I të njëjtit mendim është edhe Gjon Loshi.

“Nuk mendoj se ka ndonjë zgjidhje për ta zhdukur gaforren blu dhe në këto kushte unë mendoj që shteti të ndërhyjë e të gjejë treg ta tregtojmë,” tha ai.

“Jemi munduar vetë që të gjejmë treg, por në vendin tonë është shumë pak e kërkuar sepse nuk konsumohet,” shtoi Lloshi.

Jak Gjini shprehet se në disa vende të botës, gaforrja blu konsiderohet një ushqim luksi, por në Shqipëri ajo nuk ka konsumatorë.

“Vetëm sigurimi i tregut përmes politikave qeveritare mund të ishte zgjidhja, pasi nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta zhdukur nga ujërat,” përfundon ai.