Transmetuar më 20-05-2021, 15:01

Socialistët që kontrollojnë Parlamentin me PS dhe deputetët vasalë që e rrethojnë prej mëse dy vjetësh, ka provokuar sot Sali Berishën duke futur për miratim një marrëveshje ekstradimi në SHBA dhe duke ftuar drejtësinë "të bëjë detyrën".

Projektligji "Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës", u miratua me 93 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e lidhi paktin për ekstradim me ecurinë e reformës në drejtësi.

Pasi thuri një lumë elozhesh për SHBA është, Balla përmendi se marrëveshja me LSI sipas tij u prish një vit para zgjedhjeve të 2017 sepse kjo parti nuk donte reformën në drejtësi: "Kemi qenë të gatshëm të prishim koalicionin qeverisës me LSI-në në korrik të 2016-ës, sepse për ne mbështetja dhe votimi i reformës në drejtësi ishte një gjë e panegociueshme".

Në vijim Balla atakoi Berishën kur tha se "kushdo politikan që është munduar të pengojë rrugën e çuarjes përpara të reformës në drejtësi le të shohë rastin e djeshëm, i cili është rasti më kuptimplotë" dhe shtoi:

"Unë mendoj që ta lëmë aq të bukur vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe të mos hyjmë në asnjë lloj komenti, sepse është aq i bukur dhe i rëndësishëm. Secili le ta lexojë ashtu siç është vendimi. Ne duhet të kuptojmë se SHBA ka zgjedhur këto instrumente për t’i dhënë mesazhe vendeve demokratike. Ne duhet ta respektojmë këtë vendim dhe natyrshëm drejtësia duhet të bëjë detyrën e vet", tha Balla dhe vazhdoi:

"Unë jam një prej atyre personave që kam depozituar në Prokurori një kallëzim për korrupsion ndaj Sali Berishës. Shpresoj që drejtësia të bëjë ndërhyrjen e vet pa asnjë lloj ndërhyrje politike dhe në paanshmëri të plotë. Para drejtësisë duhet të jemi të gjithë të barabartë". /noa.al