Transmetuar më 21-05-2021, 10:33

Kur një person i punësuar ka probleme shëndetësore, ai merr periudhë pushimi për riaftësim dhe kjo mund të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, në varësi të sëmundjes. Për këtë shkak, punëdhënësi dhe mbi të gjitha shteti, duhet të përgjigjen dhe të paguajnë të sëmurin që ai dhe personat që ka nën kujdes, të mos preken nga pasojat financiare të sëmundjes.

Kohët e fundit kjo temë është kthyer në çështje dite për shkak të pandemisë Covid-19. Shumë njerëz janë detyruar të lënë punën e përditshme të prekur nga koronavirusi ose me simptoma të ngjashme.

Por çfarë ndodh në Shqipëri dhe vendet e tjera të Evropës me të sëmurët dhe si paguhen ata.

Noa.al ju sjell raportin e dërguar në redaksi nga "The Compensation Experts", e cila ka analizuar kompensimet financiare në të gjithë kontinentin.

Duke ndërmarrë kërkime për të zbuluar skemat e financimit të të sëmurëve të çdo kombi evropian, Ekspertët e Kompensimit kanë qenë në gjendje të rendisin secilin se sa mirë ata kompensojnë shtetasit e tyre në kohë të shëndetit të keq.

Në rastin e Shqipërisë, trajtimi financiar është shumë larg atij evropian. Ndryshe nga plot vende të tjera evropiane, në asnjë rast në Shqipëri punonjësit nuk marrin 100 për qind të pagës për ditët që kanë qenë sëmurë. 70 deri 80 për qind parashikon ligji për të sëmurët. Për 2 javët e para, paguan kompania apo subjekti shtetëror që e ka në punë. Kurse më tej paguhet nga shteti deri në 6 muaj me raport mjekësor. Pas kësaj periudhe, nuk ka më pagesë dhe punonjësi humb punën edhe nëse sëmundja mund të kërkojë më tepër kohë riaftësimi.

Por shqiptarët nuk përballen vetëm me këtë telash. Në subjekte private ata më së shumti kanë frikë të rrinë gjatë në shtëpi për kurim sepse kanë frikë mos humbasin vendin e punës. Madje këtë e bëjnë rëndom dhe gratë që pasi lindin rrinë vetëm pak javë dhe kthehen në punë edhe pse ligji lejon një vit pushim me deri 50 për qind page.

Ka keq e më keq, por ka dhe mirë e më mirë

Paketa islandeze e pagave për të sëmurët konsiderohet më e mira në Evropë. Punonjësit në të gjithë ishullin Nordik kanë të drejtë të paguhen me 100% të pagës së tyre për minimumi dy ditë për çdo muaj që kanë qenë në punë. Kështu nëse fjala vjen një punonjës ka 10 vite punë, atij i takojnë në vit, ditë të paguara plotësisht, 240 ditë pushim.

Shumë mirë janë edhe vende të tjera nordike si Norvegjia dhe Danimarka të cilat gjithashtu u sigurojnë shtetasve të tyre, 100% të pagës. Në Norvegji, qeveria merr përsipër pagën e plotë të një punonjësi të sëmurë, për një vit të tërë.

Në Danimarkë, mbulohen totalisht pagat për 22 javë çdo 9 muaj, ose 154 ditë.

Qytetarët e Luksemburgut trajtohen gjithashtu me pagën e tyre të plotë kur janë të sëmurë, deri në 89 javë, ndërsa austriakët lejohen 100% të paguajnë për 12 javët e para që nuk janë në punë.

Gjermania siguron 100 për qind të pagës për të sëmurët dhe midis 70 deri 100% për periudhën deri 84 javë ose gati dy vjet pushime.

Shumë mirë janë dhe Zvicra, Finlanda, Monako e deri Mali i Zi. Në Zvicër, qytetarët janë në gjendje të kërkojnë pagë për pushim sëmundjeje, deri në dy vjet. /noa.al