Italia fiton Eurosong 2021. Gjoni merr votat e jurisë, Anxhela Peristeri dështon bindshëm
Transmetuar më 23-05-2021, 00:03

Italia është shpallur fituese e Festivalit Evropian të Këngës Eurovision 2021 me këngën e Maneskin debutuar në Festivalin e kaluar të Sanremos.

Rivaliteti sonte në Eurosong 2021 ishte mes Gjon Muharremaj, shqiptar i Zvicrës dhe Francës, në votat e jurisë së profesionistëve.

Por pikët e shumta nga televotimi bënë që të fitojë Italia, edhe pse Zvicra ishte më e votuara nga juritë e 39 shteteve.

Nga juria e profesionistëve, 267 pikë mori Zvicra dhe 248 Franca.

Vetëm San Marino dha 2 pikë për Shqipërinë dhe surpriza ishte Malta që dha të 12 pikët e saj maksimale. Më tej shumë shtete nuk dhanë asnjë pikë derisa ishte Danimarka që çuditi me 7 pikë të saj dhe 1 pikë e Holandës duke e çuar në 22 totalin e pikëve për Shqipërinë.

Shqipëria u rendit e 20-a ndër 26 finalistët me votat e 39 Shteteve.

Nga televotimi Shqipëria mori 35 pikë shtesë që e ngritën në 57 pikë.

Formula që kanë zgjedhur organizatorët është ashtu si në dy netët e para, gjithashtu të regjistruara, ku spikerja flisnin nga ekrani të vendosur në sallë, pasi vetëm interpretimet zhvilloheshin drejtpërdrejt për shikuesit në sallë.

Ndërsa nata finale transmetohet këtë mbrëmje të shtune, televotimi ka vazhduar dhe këngëtarja e Anxhela Peristeri, pasi realizoi një performacë të mirë në skenën e Eurovision Song Contest bëri thirrje të votohej sa më shumë.

"Te gjithe shqiptaret qe jetojne jashte Shqiperise mund te votojne ne nr e shtetit perkates me kodin 02 ne momentin qe fillon votimi dhe nr i telefonit shfaqet ne ekran!", tha Peristeri. Ajo kujtoi dhe faktin se nga nje telefon mund te votohet deri ne 20 here.

Është e qartë se Eurovision po përpiqet të mbledhë sa më shumë fitime pasi një SMS kushton midis 1 deri 2 euro dhe 20 të tilla shkojnë midis 20 deri 40 euro për një person votues.

Këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri përfaqëson Shqipërinë në Eurosong, pasi u shpall fituese e festivalit të 59-të të Këngës në RTSH, me këngën Karma.