Transmetuar më 24-05-2021, 19:48

Alpha Bank Albania del në shitje me një vendim që shpalli sot drejtori i përgjithshëm i grupit, Vasilis Psaltis, raporton noa.al.

"Alpha Bank është gati të bëjë një hap para për të ardhmen", tha z.Psaltis, duke njoftuar nxjerrjen në shitje të Alpha Bank Albania si dhe të Alpha Bank London.

Psaltis tha se shitja e Alpha Bank Albania e emërtuar "Project Riviera", do të përfundojë brenda vitit 2021 dhe të ardhurat do të riinvestohen në tregje të reja.

Business Daily në Athinë shkruan se vendimi vjen pasi në fund të vitit të kaluar grupi Alpha Bank kishte njoftuar se kishte përfunduar procesin e transformimit të filialeve të saj në Evropën Juglindore.

Vendimi ka ngjallur shqetësim në qeverinë greke. Alexis Patelis, këshilltari i Kryeministrit, Mitsotakis, tha se Qeveria është thellësisht e shqetësuar pas vendimit të menaxhmentit të Alpha Bank për të vazhduar me shitjen e filialit në Shqipëri, pasi çështja konsiderohet veçanërisht e rëndësishme në lidhje me përparësitë e politikës së jashtme të Greqisë dhe marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë.

Në 24 orët e kaluara, në fakt, sipas informacionit nga BusinessDaily, janë zhvilluar biseda për këtë çështje, me menaxhmentin e grupit Alpha Bank, si nga ana e udhëheqjes politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ashtu edhe nga këshilltari financiar i Kryeministrit, Alexis Patelis.

Drejtori i Përgjithshëm i grupit Alpha Bank, Vasilis Psaltis. Foto: Newmoney.gr

Në këto diskutime, qeveria greke ka theksuar faktin se qenia e Alpha Bank në Shqipëri kishte një rol të rëndësishëm pasi ajo është banka e fundit greke me një prani në Shqipëri, pasi të gjitha bankat e tjera greke u larguan vitet e fundit.

Shqetësim ka shkaktuar vendimi edhe për kompanitë greke me aktivitet të rëndësishëm ekonomik në vendin tonë. Raportohet se ato kanë reaguar ndaj daljes së Alpha Bank nga tregu shqiptar.

Menaxhmenti i grupit Alpha Bank tha se këto vendime merren duke pasur parasysh përfitimin ekonomik të aktiviteteve.

Alpha Bank Albania ka 416 punonjës dhe qarkullimi në Shqipëri më 31.12.2020 arriti në 23.452 milionë euro kurse rezultatet para taksave në fitime ishin 1.246 milionë euro.

Redaksia e noa.al kontaktoi me Alpha Bank Albania për të marrë një koment mbi këtë zhvillim. Banka njoftoi se për momentin nuk ka një qëndrim për të dhënë, por la të hapur mundësinë për ta bërë këtë në një kohë të mëvonshme. /noa.al

Lexoni dhe: Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave kërkojnë më shumë kohë për të dalë me një qëndrim për largimin e Alpha Bank nga Shqipëria