Transmetuar më 25-05-2021, 11:49

Këshilli i Evropës konstaton në raportin e tij se institucioni Moneyval me qendër në Strasburg nuk ka gjetur ndonjë përmirësim të dukshëm kundër pastrimit të parave në Shqipëri.

Për këtë arsye është vendosur që Shqipëria të mbetet në procedurën e zgjeruar të ndjekjes dhe të raportojë për përparimin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e saj të masave LPP/LFT në bazë vjetore.

Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit – MONEYVAL është një organ i përhershëm monitorimi i Këshillit të Evropës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën për të bërë rekomandime për autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre.

Në konkluzionet e raportit thuhet se Shqipëria nuk ka përmirësuar ndjeshëm masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e FATF.

Raporti vë në dukje se në vitin 2018 u bë një tjetër vlerësim për këtë çështje dhe palës shqiptare iu kërkua të raportonte te MONEYVAL nën procedurën e saj të zgjeruar të ndjekjes.

Lexoni dhe: NOA EKSKLUZIVE/ Antiterrori dhe SPAK alarmohen nga thirrjet në Shqipëri: Ngrehuni t’i biem Izraelit

Mangësitë me pajtueshmërinë teknike u identifikuan në lidhje me sanksionet e synuara financiare, transparencën e rregullimeve ligjore, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe profesioneve jo-financiare.

MONEYVAL thotë se ka ekzaminuar një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar këto mangësi.

Sipas raportit, vetëm disa hapa pozitivë janë ndërmarrë nga autoritetet shqiptare në lidhje me sanksionet e synuara financiare, të cilat nxitën që vlerësimi për Rekomandimin 6 të FATF të ndryshonte nga “jo i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”.

Raporti gjithashtu përfshiu zbatimin e kërkesave të reja ndërkombëtare për pasuritë virtuale, duke përfshirë, ndër të tjera, monedhat virtuale më të shquara (Bitcoin, Ethereum, etj.) dhe ofruesit e këtyre aseteve. Vlerësimi i Shqipërisë për zbatimin e këtij rekomandimi është ulur nga “kryesisht i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”.