Transmetuar më 26-05-2021, 09:24

Një rrjet i mirëfilltë vjedhjeje po funksionon prej disa kohësh në Tiranë duke vjedhur në rrugë të sofistikuara shuma të mëdha parash të fituara përmes blerjeve në dukje të rregullta online.

Noa.al mëson se në Policinë e Shtetit po kryhet një hetim voluminoz që përfshin shtetas shqiptarë, shtetas të huaj, kompani të ndryshme shqiptare dhe nga jashtë dhe deri banka në Shqipëri.

Gjithçka ka nisur pasi drejtuesit e një kompanie celulare në Tiranë denoncuan në drejtorinë e policisë së kryeqytetit se në faqen e saj zyrtare në internet po kryheshin disa blerje me karta krediti dhe debiti të Shteteve të ndryshme.

Vetëm një person kishte arritur të blinte në pak ditë, telefona celularë të shtrenjtë në shumën 33 milionë lekë të vjetra, e gjithë shuma, dëm që i është shkaktuar kompanisë celulare.

Skema është e thjeshtë. Blerësi bën porositë në faqen e kompanisë, vendos të dhënat e kartës bankare dhe kryen pagesën përmes saj dhe pret një deri tri ditë që korrieri ti dërgojë produktin në banesë.

Deri këtu duket se çdo gjë është në rregull. Por pikërisht këtu është kleçka.

Kompania celulare u shpreh e shqetësuar se blerjet po bëheshin me karta të vendeve nga Amerika Latine, si Kili, Kosta Rika apo Uruguai. Kompania vëren në dëshminë e saj se nuk pret të ketë klientë dhe përdorues në këto vende ndaj pati dyshime për mashtrim.

Për më tepër siç raporton noa.al, nga këto vende po ankoheshin individë dhe subjekte se ishin vjedhur. Dhe në raste të tilla, kompania që mundëson blerjet online dëmtohet dy herë, së pari me produktet që gjoja shet por në fakt vidhen dhe së dyti sepse duhet të dëmshpërblejë ata që u janë keqpërdorur kartat pasi bankat e atjeshme janë ankuar për transaksionet e kryera këtu.

Nën hetim janë të paktën 27 raste të blerjeve abuzive me karta krediti. Policia e Shtetit ka kryer veprime hetimore dhe ka arrestuar I.B 18 vjeç dhe Q.T., 21 vjeç, dy djem me banim në Tiranë, si persona të cilët kanë kryer në bashkëpunim me shtetas të huaj, vjedhje përmes mashtrimit. Q.T. ka treguar se ishte një maroken, Mouad ai i cili e ka përfshirë në këtë rrjet vjedhjeje përmes mashtrimit.

Kapja e të riut Q.T., ka qenë spektakolare. Policia ka pritur derisa atij i ka shkuar korrieri i postës me paketën e blerjes dhe e ka arrestuar në flagrancë.

Një kontroll i imët është ushtruar dhe policia tha se celularët e blerë nga kompania telefonike janë shitur më pas në kompanitë e shitjes së celularëve në Tiranë.

Edhe i dyshuari tjetër, I.B, po ashtu është ndaluar për mashtrim kompjuterik ndërsa po kërkohet edhe kapja e marokenit që shihet të jetë strumbullari i kësaj skeme.

Policia e Shtetit tha se veç dy të prangosurve po procedohen 5 shtetas të tjerë, për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.

Veprimet hetimore vazhduan dhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me shtetasit: E. H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M., 33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S, 26 vjeç (shtetas i huaj). Të pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Sipas saj, karta e kreditit që janë përdorur nga të rinjtë shqiptarë janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.

Policia thotë se veç dëmit që u zbulua te kompania celulare, dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim. /noa.al