Transmetuar më 26-05-2021, 20:08

Nga Klodian Tomorri

Në 21 prill të vitit të kaluar, kur vendi ishte në kulmin e karantinës pandemike, kryeministri Edi Rama përmes një komunikimi public, sqaroi bizneset se qeveria kishte lehtësuar barrën e tyre tatimore.

“Tatim-Fitimi i të gjitha bizneseve të vogla për vitin 2020 është falur. Por ama, çfarë është paguar dhe do të vazhdojë të paguhet janë sigurimet dhe natyrisht tvsh-ja. Këto do të vazhdojnë të paguhen” deklaroi kryeministri.

Në atë kohë, procesi i ligjbërjes ishte totalisht kaotik. Shumica e masave ligjore ndërmerrej përmes akteve normative dhe shpallej nga vet Rama në rrjetet e tij sociale. Megjithatë përgjatë vitit 2020, Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore në komunikimet me biznesin përsërisnin premtimin e kryeministrit; tatim fitimi i vitit 2020 ishte falur.

Madje, të njëjtin qëndrim drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj e përsëriti sërish vetëm pak muaj më parë, në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë një interviste në televizionin Klan me kolegen Ola Xama.

Sipas ligjeve në fuqi, në datën 10 shkurt të këtij viti, bizneset e vogla dorëzuan bilancet financiare për vitin e kaluar. Në mars dhe në prill, nuk ndryshoi asgjë dhe të gjitha bizneset mendonin se tatim fitimi ishte falur. Por sapo përfunduan zgjedhjet dhe qeveria fitoi sërish pushtetin, historia ndryshoi menjehërë.

Ditët e fundit, administrata tatimore është lëshuar me presion ndaj biznesit të vogël duke i kërkuar të paguajë tatim fitimin e vitit 2020. MCN ka parë një sërë shkresash të lëshuara nga Tatimet, gjatë këtyre ditëve të fundit, ku u kërkohet bizneseve të vogla që të paguajnë tatim fitimin për vitin e kaluar, në të kundërt do të përballen me gjoba dhe masa administrative.

Madje mënyra se si po justifikojnë ndryshimin e kursit është edhe më qesharake. E përballur me ankesat e bizneseve, Drejtoria e Tatimeve po justifikohet se deklarata e drejtoreshës së përgjithshme dhe ajo e kryeministrit kanë qenë lapsuse dhe se tatim fitimi për biznesin e vogël nuk është falur, por vetëm është shtyrë.

Ajo që po ndodh me tatim fitimin e biznesit të vogël është mirëfilltazi një maskaradë shtetërore. Kryeministri dhe drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve mashtruan publikisht biznesin deri në zgjedhje. Pasi zgjedhjet u fituan, tashmë bizneseve u kërkohet të paguhet taksa. Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë, kur shteti trajton sistemin fiskal si një instrument mashtrimi në funksion të zgjedhjeve. Por cila është fatura që i kërkohet tani biznesit.

Sipas regjimit tatimor në fuqi, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit, tatimi mbi fitimin është zero. Ky kufij është vendosur që në 1 janar të vitit 2016.

Për bizneset me xhiro nga 5 deri në 14 milionë lekë në vit, tatim fitimi është 5 për qind. Kjo është fasha e biznesit, të cilës qeveria i premtoi publikisht faljen për vitin e kaluar, ndërsa tani po e detyron të paguajë. Bëhet fjalë për qindra dhe mijëra biznese, të cilët tani kanë rënë në darën e tatimorëve, pasi më parë provuan karamelen e rreme të kryeministrit.