Transmetuar më 27-05-2021, 06:56

Ju që e keni kaluar koronavirusin, por edhe të tjerë që nuk e kanë kaluar, kanë dëgjuar pa fund gjatë vitit që shkoi dhe deri dje, se antitrupat nuk zgjasin më shumë se tre muaj.

Kjo tezë futi në ankth shumë njerëz të cilët përjetonin pasiguri kur kalonin tre muaj pasi kishin krijuar antitrupa nga përballja me koronavirusin e ri Sars-Cov-2.

Por duket se e gjitha ishte pamjaftueshmëri kohe për të provuar më qartë dhe më saktë gjërat. Universiteti i Uashingtonit në SHBA ka arritur të përfundojë një studim shpresëdhënës që sugjeron se antitrupat nuk ikin kurrë. Ato thjesht janë inaktive pas njëfarë kohe dhe, nëse është nevoja përballen në çdo kohë me koronavirusin dhe e luftojnë me sukses atë.

“Vjeshtën e kaluar, pati raportime se antitrupat ndaj koronavirusit mund të largoheshin në një periudhë të shkurtër pas infektimit. Megjithatë, ky ka qenë një keqinterpretim i të dhënave. Niveli i antitrupave ulet, por nuk zbresin në zero, ata qëndrojnë inaktivë. Ne zbuluam qeliza që prodhojnë antitrupa edhe 11 muaj pas simptomave të para. Këto qeliza do të jenë aktive dhe do të prodhojnë antitrupa gjatë gjithë jetës. Kjo është një provë e fortë për një imunitet afatgjatë”, u shpreh de. Ali Ellebedy, autori kryesor i studimit  u publikua në revistën “Nature”.

Në studim u përfshinë 77 persona të infektuar me COVID-19 të cilët kishin simptoma të ndryshme nga të lehta deri të moderuara e mes tyre edhe gjashtë pacientë që përfunduan nën kujdes spitalor.

Që të gjithë kryen analiza çdo muaj dhe u konstatua se që në muajt e parë, niveli i antitrupave u ul. Megjithatë ato nuk u zhdukën, por u bënë inaktive. Shkencëtarët zbuluan qelizat imune deri në 11 muaj pasi pacienti ishte infektuar.

"Studimi ka dalë në përfundimin se qelizat imune në palcën e kockave vijojnë të krijojnë antitrupa edhe pas rënies së nivelit të antitrupave në gjak", thuhet në raportin që publikoi revista, citon noa.al.

Zbulimi është i rëndësishëm, sepse personat e përfshirë kishin qeliza në palcë që prodhonin antitrupa edhe 11 muaj pas infektimit me Covid-19.

Studimi konsiderohet si e ardhmja e fundit të pandemisë dhe inkurajon të infektuarit e mbijetuar që ta lënë pas të keqen për të cilën kanë ende pasiguri se mund tu rikthehet.