Rikthehen ‘Friends’, aktorët ribashkohen 17 vjet pas serialit të famshëm
Transmetuar më 27-05-2021, 08:42

Disa nga ju mund ta mbajnë mend datë. 6 maj 2004. Atëherë sapo kishte lindur Facebook, pak përdorej. Kishte celularë, por zor se ndokush shihte TV që aty, pale lidhje live. Ndaj në sheshin Time Square në Nju Jork, atë mbrëmje u mblodhën plot e përplot njerëz për të parë serinë e fundit të serialit ikonë, Friends.

Për dhjetë vjet me radhë, Friends ishte bërë seriali më i ndjekur në gjithë botën dhe më tej u klasifikua si seriali më i ndjekur i kohërave.

Sot, plot 17 vjet më pas, Friends rikthehen sërish për publikun në HBO Max dhe me transmetim nga shumë TV të tjera nëpër botë.

Bëhet fjalë për një event maratonë që ka nisur:

Ribashkimi, si një retrospektivë e përgjithshme mbi serialin, e rrëfyer drejtpërdrejtë nga aktorët që ishin pjesë e tij.

Rejçëll, Monika, Fibi, Xhoi, Ros dhe Chandler, do të ulen edhe një herë në divanin ikonë, nga ku i kanë dhuruar kaq shumë të qeshura admiruesve të tyre, për të folur pa doreza për përzgjedhjen e kastit, miqësinë e fortë brenda dhe jashtë sheshxhirimit, duke zbuluar edhe shumë parapaskena.

Gjatë 10 viteve të “sitcom”-it, aktorët Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt Le Blanc, Lisa Kudrow, David Schwimmer dhe Matthew Perry, u lidhën shumë me njëri-tjetrin profesionalisht dhe personalisht. Marrëdhënien e tyre të shkëlqyer e treguan edhe kur negociuan një pagë të barabartë për secilin.

“Friends, the reunion” do të transmetohet sot më 27 maj në një program disa orësh ku, për të promovuar eventin, HBO Max ka nisur një sërë aktivitetesh, ndër të cilat një tapet të kuq dixhital, me të ftuar dhe lidhje direkte në Los Angeles dhe New York.

Gjashtë miqve më të famshëm në botë do t’iu bashkohen edhe emra të tjerë të famshëm, përfshirë këtu edhe David Beckham, Justin Bieber, James Corden, BTS, Cindy Crawford, Cara Delevingne, Lady Gaga, Elliott Gould, Kit Harington, Larry Hankin, Mindy Kaling, Thomas Lennon, Christina Pickles, Tom Selleck, James Michael, Tyler Maggie Wheeler, Reese Witherspoon dhe Malala Yousafzai.