Transmetuar më 28-05-2021, 21:16

Kosova njoftoi sot se ka siguruar 1.213.290 vaksina në marrëveshje me Pfizer-BioNTech, raporton noa.al që citon konfirmimin e bërë sonte nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija.

Ai tha se ky moment shënon hapin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përballë Covid-19, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe sistemin tonë shëndetësor.

"Pas një pune intensive të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ekipit Negociator të Vaksinës, Kosova ka siguruar doza të mjaftueshme për të kryer vaksinimin përtej grupeve prioritare në përputhje me Planin Shtetëror të Vaksinimit", tha Vitija.

Kosova ka një kapacitet të zinxhirit të ftohtë për secilin lloj të vaksinave, duke mundësuar që ato të ruhen sipas standardeve.

"Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me një ritëm të shpejtë, për të arritur vaksinimin e 60% të qytetarëve deri në 2021. Procesi i vaksinimit po vazhdon të zbatohet në përputhje me të gjitha parametrat e cilësisë dhe sigurisë nga ekipet e trajnuara në të gjithë vendin", tha Vitija.

Në këtë mënyrë, shqiptarët e Kosovës nuk kanë pengesa për të lëvizur në BE dhe vende të tjera, për shkak të vaksinave që nuk janë të miratuara nga EMA. Aktualisht ata kanë nevojë për viza, por së shpejti pritet që edhe kjo barrierë të hiqet. /noa.al