Transmetuar më 31-05-2021, 07:15

Qytetarët e Kosovës nga sot mund të lëvizin lirisht në çdo orë të ditës pasi është hequr ora policore në të gjithë vendin, raporton noa.al.

Njëkohësisht janë ndërmarrë edhe hapa të tjera që synojnë reduktimin e kufizimeve të vendosura prej disa muajsh në Kosovë.

Njësitë e shërbimit bar, restorante do të jenë të hapura deri në 23.00 kurse nga kjo orë e deri në 05.00 lejohet vetëm shërbimi delivery.

Maska nuk është më e detyrueshme në mjedise të jashtme, por në grumbullime do të jetë sërish e obligueshme.

Sakaq vijon kontrolli i kufijve duke zbatuar parimin e reciprocitetit. Do të kërkohet tampon ose vërtetim të bërjes së tij për qytetarët e atyre vendeve që e kërkojnë të njëjtën gjë nga Kosova.

Ndaj qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet­ të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Përjashtime bëjnë nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 orëve përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre orëve dhe ata që kalojnë transit në rrugë tokësore dhe largohen nga Kosova për 5 orë.

Ndërsa personat kanë dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19 nuk detyrohen të kenë tampon, ashtu si edhe ata që kanë një test serologjik me rezultat pozitiv antitrupash deri një muaj të vjetër.

Ndërkohë ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut. Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për 14 ditë duke u testuar dy herë në javë.