Transmetuar më 31-05-2021, 12:07

Ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë do të luhet me tifozë duke rikthyer kështu për herë të parë sportdashësit në stadiume që nga marsi i vitit të kaluar.

Noa.al konfirmoi nga ministria e Shëndetësisë se është miratuar kërkesa që në stadiumin Arena Kombëtare në Tiranë sot pasdite ndeshja të ketë prani tifozësh.

"Një mijë tifozë do të jenë të pranishëm në stadium për të ndjekur sfidën", deklaroi ministria e Shëndetësisë.

Ekipi i Skënderbeut tha se u njoh sot zyrtarisht me vendimin e fundit për të luajtur finalen e Kupës së Shqipërisë me një numër të reduktuar tifozësh.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur në dispozicion të klubit Skënderbeu 500 vende. Kurse 500 vendet e tjera janë rezervuar për tifozët e Vllaznisë.

Nuk është vendosur ende proçedura e hyrjes në stadium dhe nëse hyrja do të jetë falas apo kundrejt pagesës.

Ekipi i Vllaznisë rikthehet në finalen e Kupës pas 11 vjetësh.

Çfarë duhet të dini për ndeshjen e sotme 

Tifozët rikthehen sonte ora 19:00 në stadiumin Arena Kombëtare, ku Skënderbeu dhe Vllaznia do të diskutojnë mes tyre trofeun. Dy skuadra me histori, por që në këtë sezon janë cilësuar dhe si surpriza, për atë që kanë bërë.

Korcarët në fakt, pas dy fazave të para në agoni, kanë arritur të sigurojnë mbijetesën nën drejtimin e trajnerit Migen Memelli. Një punë e madhe, nëse i referohemi dhe konkurencës së krijuar, nga fillimi në fund.

Nëse Skënderbeu ka luftuar në zonën e ftohtë, krejt e kundërta për Vllazninë, e cila më shumë se asnjë skuadër tjetër ka udhëhequr kampionatin, është dorëzuar në fund vetëm falë një golavarazhi më të dobët se Teuta kampione. Gjithsesi, askush nuk e priste që kuqeblutë të ishin në këto nivele dhe me të drejtë është cilësuar dhe si “kampione morale” e këtij edicioni.

Skënderbeu dhe Vllaznia, dy ekstreme të sezonit, tani do të përballen në finale e Kupës, për të dhënë verdiktin e fundit të një sezoni, sa të mbingarkuar po dhe aq emocionues, për konkurencën që ka treguar. Kjo është hera e dytë që këto dy skuadra përballen në një finale të tillë dhe ndodh pas 56 vitesh. Herën e parë finalja është fituar nga shkodranët me rezultatin 1-0 (1965).