Transmetuar më 02-06-2021, 15:51

Në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, pritet të nisë festivali i muzikës elektronike UNUM, i cili do të jetë dhe festivali i parë në Evropë që organizohet pas pandemisë në Shqipëri.

Autoritetet shqiptare njoftuan se janë marrë të gjitha masat për këtë aktivitet, raporton noa.al.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, tha në konferencën e përbashkët me organizatorët e festivalit UNUM se ky evet, jo vetëm që ka ndikuar në turizmin shqiptar, por është shndërruar në një vendtakim të shqiptarëve me qytetarë nga çdo vend i botës.

Qeveria shqiptare do të garantojë siguri, në mënyrë që UNUM-i të mbahet duke respektuar protokollin anti-COVID 19.

“Si një platformë e gëzimit të rinisë shqiptare, në emër të Qeverisë do të doja të garantoja që do të respektohen të gjitha protokollet e sigurisë së këtij festivali. UNUM-i do të shërbejë si një reklamë e mirë për turizmin në Shqipëri. UNUM festival është i përmasave evropiane”, ka thënë Klosi.

Protokolli i veçantë anti-Covid 19 i miratuar nga Ministria e Turizmit dhe ajo e Shëndetësisë obligon të gjithë pjesëmarrësit e festivalit që të respektojnë rregullat shtetërore.

Shqipëria nuk ka kufizime për asnjë vend evropian.

Për të gjithë ata qytetarë të cilët duhet të kthehen në vendet ku obligohen të ketë një test PCR, në qytetin e Shëngjinit organizatorët e festivalit ofrojnë pika ku bëhen testet, kurse brenda festivalit UNUM nuk do të kërkohet testi Rapid sepse një formë e tillë e testimit përmes licensimit të një kompanie private nuk është e lejuar në Shqipëri.

Festivali UNUM do të mbahet në plazhin “Rana e Hedhun” në Shëngjin nga 3 deri më 7 qershor dhe pritet të bëhen bashkë disa nga emrat më të mëdhenj të skenës elektronike në botë.

Festivali mbahet në sajë të mbështetjes së ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe partnerit kryesor, ONE Telecommunications.