Transmetuar më 03-06-2021, 05:09

Qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm kanë protestuar pasditen e sotme në ambientet e jashtme të Bashkisë Tiranë në lidhjen me heqjen e abonesë së përgjithshme gjatë muajve të verës.

Personat e pranishëm në protestë, ku shumica prej tyre ishin të rinj dhe studentë njëkohësisht, janë shprehur se nuk janë në gjendje ta përballojnë me nivelin e pagave në vend, blerjen e disa aboneve të linjave të ndryshme që kanë në përdorim të përditshëm.

Një problematikë tjetër e shprehur gjatë protestës ishte dhe mungesa e aboneve studentore.

“Na prek shumë mungesa e aboneve se përveç kushteve skandaloze në urban tani na hoqën dhe abonetë. Unë personalisht jam studente, ndërkohë dhe jam dhe në punë, më duhet të ndërrojë tre urbanë të ndryshëm në ditë.

Mua personalisht nuk më del në fund të muajit të blej abone të tre linjave të ndryshme. Është një kosto shumë e madhe, dhe të mendosh që ne në familje jemi katër persona dhe jemi të gjithë në punë larg. Është e papërballueshme në fakt duke marrë parasysh dhe rrogat që janë këtu.

Të gjithë ata që lëvizin me urban janë shtresë e mesme dhe e varfër, kështu që nuk kanë pse të na gdasin pikërisht ne. Në fund të fundit aboneja është e nevojshme për të gjithë.

Mësimi ka vazhduar pavarësisht se është online, edhe aboneja studentore duhet të kishte vazhduar. Mirë që nuk kemi abonenë e studentit tani duhet të paguajmë dhe abone shtesë. Kjo është e tepërt!“, tha një qytetare.