Transmetuar më 04-06-2021, 14:12

Skema e investimeve prej 4,000,000 euro në pyje dhe kullota është një nga komponentët më të rëndësishëm të Projektit të Shërbimeve Mjedisore, bashkëfinancim i Bankës Botërore, Agjencisë Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA) dhe Fondit për Mjedisin Global (GEF).

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor Rural (AZHBR) që vepron si administratore e skemës konkurruese të granteve IPARD kanë mbështetur investimet në pyje e kullota të cilat u kryen nga zotëruesit ose përdoruesit e fondit pyjor e kullosor.

Pilotimi i grantevepër pyjet, i ngjashëm me skemën IPARD është mjaft i rëndësishëm për vazhdimësinë e financimeve për këtë sektor, dhe qeveria ka vendosur për përfshirjen e mbështetjes për pyjet në programin e ri IPARD III të MBZHR për periudhën 2021-2027.

Aktualisht janë zbatuar 153 grante,  62 në thirrjen e parë dhe 91 në thirrjen e dytë.

Le të shpjegojmë konkretisht llojet e investimeve të kryera.

Pyllezim me Arrë, Njësia Administrative Tomin, Bashkia Dibër

Së pari, pyllëzime dhe ri-pyllëzime, që synojnë rehabilitimin e sipërfaqeve të degraduara për shkaqe nga më të ndryshmet, dhe mbjelljen e fidanëve të rinj. Sipërfaqja totale e pyllëzuar tashmë është 420 ha. Nga këto, 2 projekte janë aplikuar mbi një sipërfaqe pyjore prej 14 ha me pronarë privatë, ndërsa pjesa tjetër janë zbatuar ne pyjet dhe kullotat e bashkive.

Pyllëzim me Akacie, Njësia Administrative Bushtricë

Së dyti, përmirësim pyjesh, që kanë për qëllim përmirësimin e strukturës së pyjeve dhe nxitjen e rritjes së grumbujve pyjorë.

Pyllëzim me Akacie, Njësia Administrative Gurrë

Së treti, përmirësim i kullotave ekzistuese. Këto punime synojnë përmirësimin e gjendjes së kullotave dhe rritjen e kapacitetit të tyre mbajtës në numër krerësh. Punime të tilla garantojnë shtimin e krerëve të bagëtisë, rritjen e shkallës së punësimit dhe zbutjes së varfërisë në zonat rurale. Ka 37 aplikime të tilla ku 3 prej tyre vijnë nga pronarë privatë ndërsa pjesa tjetër nga shoqatat e përdoruesve. Sipërfaqja totale e përmirësuar dhe ku kapacitetet kullosore janë rritur edhe nëpërmjet ndërtimit të lerave të ujit, tashmë është rreth 4000 ha.

Krumë, Ndërtim i Lerës së ujit

Së katërti, ndërtim veprash hidroteknike (prita malore). Projekte të tilla synojnë frenimin dhe parandalimin e erozionit në masivët pyjorë me një ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e përmbytjeve dhe mbrojtjen e tokave bujqësore. Nga 153 projekte të zbatuara në total, 32 projekte mbështetën ndërtimin e pritave malore. Në total janë ndërtuar 3,756 m3 prita malore.

Pyllëzim me Akacie, Njësia Administrative Ulëz

Së pesti, ndërtim veprash ujëmbajtëse për blegtorinë (lera). Këta projekte synojnë uljen e trysnisë në kullotat komunale dhe përmirësimin e kullotave të larta malore dhe rritjen e kapacitetit të tyre mbajtës. Në total kanë aplikuar për këto investime 17 subjekte nga të cilët 2 janë pronarë privatë dhe pjesa tjetër janë shoqatat e përdoruesve. Në total janë ndërtuar 93 lera uji.

Pyllëzim me pishë mesdhetare, Njësia administrative Funar, Elbasan

Skema e  investimeve në pyje dhe kullota garanton zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor e kullosor, punësimin e banorëve të zonave rurale, mbështetjen e sektorëve të tjerë si blegtoria dhe turizmi, frenimin e erozionit dhe parandalimin e përmbytjeve. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, kjo skemë investimesh plotëson zbatimin e parimeve kryesore të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor përsa i përket sistemeve të qëndrueshme të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Pyllëzim me pishë mesdhetare në Funar, Elbasan

Objektiva të tjera janë rritja e mbulesës pyjore, ose zgjerimi i sipërfaqes së pyllëzuar, rigjenerimi i  tokave pyjore të degraduara, apo tokave bujqësore të braktisura, shtimi i shërbimeve mjedisore si sekuestrimi i karbonit, cilesia e ujit, biodiversiteti dhe frenimi i erozionit; nxitja e praktikave te agro-pylltarisë; parandalimi i zjarreve ne pyje dhe rritja e qëndrueshmërisë dhe vlerave mjedisore të ekosistemeve pyjore. Cilat janë rezultatet deri më tani nga aplikimi i kësaj skeme investimesh në pyje e kollota.

Golaj përmirësim kullote

Në pyllëzim është investuar në 420 Ha; në përmirësime pyjore, 5150 Ha; në përmirësim kullote 283 Ha, kontraktuar; në lera uji, janë ndërtuar 93 copë në siperfaqe kullosore dhe ndertim i pritave malore, 3756 m3. Sa i përket intensitetit të ndihmës, të dhënat janë këto:

-Mbështetja në shumën 60 % të investimit të ligjshëm për individët;

-Mbështetja në shumën 85 % të investimit të ligjshëm për shoqatat.

Përmes projektit të Shërbimeve Mjedisore është bërë gjithashtu inventari kombëtar i pyjeve dhe kullotave dhe është ngritur një sistem informacioni digjital për pyjet dhe kullotat, i standarteve të njëjta me ato që përdorin sot vendet e Bashkimit Europian. Sistemi AIFIS tashmë është testuar dhe do të jetë shumë shpejt në përdorim nga administrata në nivel qëndror dhe lokal, si një mekanizëm i ri digjital për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave në Shqipëri.

Më shumë mbi këtë mund të gjeni në Facebook, Instagram, dhe YouTube.