Transmetuar më 05-06-2021, 03:08

Një fëmijë ka pësuar vuajtje të dhimbshme teksa është plagosur rëndë në një aksident automobilistik dhe ka vdekur në pritje prej dy orësh që të vinte ambulanca për ndihmën e shpejtë.

Ngjarja që shihni në foto raportohet se ndodhi të premten në rrugën dytësore në fshatin Gadime të Lipjanit, ku një fëmijë ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur.

Në aksident ka qenë e përfshirë një veturë e tipit “BMW” me targa të huaja, në të cilën gjendeshin disa familjarë, ku tre prej tyre u plagosën, por më rëndë fëmija që dha shpirt pas dy orësh nga aksidenti.

Dëshmitari i aksidentit, Ardit Ajeti ka thënë për RTV Dukagjini, se ndihma e shpejtë është vonuar rreth dy orë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti konfirmoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, ndërkaq, i mituri që u plagos ka ndërruar jetë rreth orës 17:15.

“Sot rreth orës 15:00 në fshatin Gadime të Lipjanit, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Rreth orës 17:15, jemi njoftuar nga QKUK, se njëri nga personat e lënduar në aksident nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, tha ajo.