Transmetuar më 05-06-2021, 14:50

Një përplasje edhe më e rëndë se e pak ditëve më parë, ka ndodhur mes policisë dhe banorëve të fshatit Lumasit. Banorët janë përplasur me policinë gjatë protestës së sotme, në mënyrë që të bëheshin pengesë për mjetet e firmës kontraktuese për ndërtimin e ujësjellësit.

Mes kësaj përplasjeje, gra e burra kanë kundërshtuar me forcë që mjetet të punonin duke thërritur me të madhe, qarë e ulëritur, ku mes protestuesve ka të lënduar dhe disa të tjerë janë shoqëruar në Komisariat.

Banorët e fshatit Lumas prej rreth 2 muajsh protestojnë për burimin e ujit të Sinecit dhe afro tre javësh kanë bllokuar edhe rrugët e fshatit, në mënyrë që të pengojnë mjetet e firmës kontraktuese për ndërtimin e ujësjellësit.

Protestuesit pohuan se janë në proces gjyqësor me bashkinë Kuçovë dhe kërkojnë që punimet të pezullohen deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës.

Burimi i Sinecit që shikoni në foto është një pasuri natyrore që banorët e Lumasit në Kuçovë e konsiderojnë të paprekshme. Momentalisht banorët po mbajnë të bllokuar që prej orëve të para të mëngjesit rrugën e fshatit, duke siguruar se nuk do të lëvizin deri në marrjen e një përgjigje të qartë nga autoritetet shtetërore.

Banorët shprehen se nuk lejojnë t’u marrin ujin pasi ky është i vetmi burim që i mban me ujë të pijshëm në këtë zonë.

Noa.al kërkoi një qëndrim nga bashkia Kuçovë që mbulon zonën. Kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i pyetur nga noa.al tha se ujësjellësi i ri që po ndërtohet ka si synim furnizimin me ujë të pijshëm për Lumasin dhe 6 fshatra të tjerë.

"Banorët pretendojnë se burimi i ujit të Sinecit është pronë ekskluzive e tyre dhe po e trajtojnë në këtë mënyrë atë. E vërteta është se ata e duan këtë burim për vaditje, por ujësjellësi që po ndërtohet zgjidh jo vetëm problemin e furnizimin me ujë të pijshëm për 7 fshatra, përfshirë atë ku ndodhet burimi, por lë mjaftueshëm ujë dhe për vaditje për Lumasin".

Hajdari tha se ujësjellësi po ndërtohet me fondin 300 milionë lekë të rinj dhe parashikohet të përfundojnë pas rreth një viti". /noa.al