Transmetuar më 07-06-2021, 06:26

Edhe pse tashmë kemi hyrë në stinën e verës parashikimi i motit thotë të kundërtën.

Java që ka nisur pritet të jetë e paqëndrueshme dhe karakteristikë të saj do të ketë reshjet në formë rrebeshesh dhe shtrëngatash nga orët e mesditës deri ato të pasdites.

Më konkretisht këtë të Hënë moti parashikohet kryesisht i vranët, por do të ketë edhe intervale me diell.

Reshje shiu me intensitet të ulët në orët e mëngjesit dhe nga orët e mesditës deri pasdite me intensitet mesatar.

Reshjet me intensitet mesatar do të jenë në formën e shtrëngatave dhe rrebesheve shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.

Dita e Martë dhe ajo e Mërkurë do të vijojnë me motin kryesisht të vranët dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të dobët. Por nga orët e mesditës deri ato të pasdites reshjet me intensitet mesatar në formën e rrebesheve.

Për ditën e Enjte dhe të Premte mëngjeset dhe darkat do të jenë me kthjellime ndërsa orët e mesditës deri ato të pasdites, reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.