Transmetuar më 07-06-2021, 07:52

Princi Harry dhe Meghan Markle të Dielën njoftuan lindjen e fëmijës së tyre të dytë, një vajzë të cilës i vunë emrin Lili Diana.

Një zëdhënës i çiftit, tha: "Me shumë gëzim ju informojmë që Princi Harry dhe Meghan, Duka dhe Dukesha e Sussex, kanë mirëpritur vajzën e tyre, Lilibet ‘Lili’ Diana Mountbatten-Windsor".

Vogëlushja u lind në spitalin Santa Barbara Cottage në Kaliforni, të Premten në 11:40 të mëngjesit me kohën lokale, por vetëm të dielën u dha njoftimi.

"Më 4 qershor, ne u bekuam me ardhjen e vajzës sonë, Lili. Ajo është më shumë sesa mund ta imagjinonim ndonjëherë dhe ne jemi aq mirënjohës për dashurinë dhe lutjet që kemi ndjerë nga e gjithë bota", thuhej në deklaratën formale të çiftit.

Harry ishte i pranishëm në lindje. Vajza peshonte 7 lbs 11 oz (3.48 kilogramë).

"Të dy, nëna dhe fëmija janë shëndoshë e mirë, dhe gjenden në shtëpi," tha sekretari i shtypit, duke shtuar: "Duka dhe Dukesha ju falënderojnë për urimet tuaja të ngrohta".

Fëmija që u lind në SHBA do të marrë shtetësinë amerikane ndërsa besohet të marrë edhe atë britanike.

Emri i saj i parë, Lilibet, është një zgjedhje mes nofkës së Mbretëreshës Elisabeth, stërgjyshja e vajzës dhe gjyshes së saj të ndjerë.

Mbretëresha aktuale ka një pseudonim familjar. Atë e thërrasin Lili dhe Lilibet ndaj çifti i vuri këtë emër vajzës në respekt të stërgjyshes.

Emri i mesëm është në nder të gjyshes së saj dhe nënës së Harrit, princeshës Diana. Foshnja është e teta në radhë për fronin britanik.

Asnjë foto e të porsalindurit nuk qarkullon në rrjet.

Pallati Buckingham tha në një deklaratë se Mbretëresha Elizabeth, Princi Charles, djali i tij William dhe gruaja e këtij të fundit, Kate janë "të kënaqur" me lajmin e lindjes së vogëlushes.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ishte gjithashtu midis dashamirësve. Ai shkroi në Twitter: "Shumë urime Duka & Dukesha e Sussex për lindjen e vajzës së tyre."

Lindja e Lilibet vjen pas intervistës shpërthyese të Harry dhe Meghan me Oprah Winfrey në Mars 2021.

Çifti përshkroi diskutime të dhimbshme për ngjyrën e lëkurës së fëmijës së tyre të parë, duke humbur mbrojtjen mbretërore. Meghan po ashtu tregoi presionet e forta që e çuan atë të mendonte për vetëvrasje.

Pallati Buckingham tha se akuzat për racizëm të bëra nga çifti ishin "shqetësuese". Familja mbretërore tha se çështja do të adresohej privatisht te çifti edhe pse ata e bënë akuzën publikisht.

Largimi i Harry dhe Meghan nga ofiqet mbretërore filloi në Mars të vitit 2020, pas atyre që ata i përshkruan si ndërhyrje dhe qëndrime raciste të mediave britanike ndaj dukeshës. /noa.al