Transmetuar më 07-06-2021, 12:28

Specialisti i arsimit, Ndriçim Mehmeti ishte i pari që denoncoi daljen e tezës së provimit të Gjuhë-Letërsisë, për Maturën Shtetërore.

Mehmeti tha se teza i kishte ardhur sot nga disa prindër të cilët kishin zbuluar këtë fakt. Ai tha se për zgjidhjen e tezës, nxënësit kanë paguar madje deri në 50 euro.

“Ma sollën prindërit e maturanteve tezën. Ata kanë qenë të shqetësuar. Shqetësimet e tyre vinin tek unë dhe unë me besim i thoja se; S’besoj se këtë vit do të ketë shkelje të rregullave. Dikush duhet ta denoncojë këtë fenomen.

Ma sollën dhe pasi e vërtetova se ajo ishte teza, u detyrova me shumë dhimbje dhe trishtim për ta hedhur në rrjetet sociale që ky fenomen duhet t’i thënë stop. Ishin disa prindër që shihnin të tjerët që i zgjidhnin në kafene dhe u bënë kurioz se çfarë po ndodhte.

Ata thanë se po paguheshin për të zgjidhur tezën, por se vërtetoj këtë. Ajo siç doli, do hyjë brenda. Ai që është i dobët, ose mesatar do të marr të njëjtën notë. Dhe këtu merr fund konkurrenca, ajo që flasim për një arsim cilësor.

Sipas prindërve, një tezë shkon deri në 50 euro. Celularët lejohen, pasi nuk ka mirëadministrim. Me celularët është e thjeshtë, një celular e dorëzojnë, një tjetër e fusin në atlete. Por ka dhe vende të tjera, që s’dua t’i them”, tha Mehmeti.

Në një kërkesë për qëndrim nga ministria e Arsimit, kjo e fundit tha para pak se po bëhet vlerësimi nëse do të duhet të ketë, një reagim.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Arsimore të Provimit, zonja Rezana Vrapi, deklaroi se qendra mban përgjegjësi deri në orën 10:00.

Sipas saj, teza e provimit është shpërndarë me postë dhe në mënyrë të sigurt, në të gjithë vendin njëkohësisht. Pas orës, 10:00, Vrapi tha se përgjegjësia është e Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar, që monitoron administratorët që merren me mbarëvajtjen e provimit.