Transmetuar më 07-06-2021, 23:18

Ahmetaj, u ndal gjatë te sigurimi i vaksinave anti-COVID nga ana e qeverisë shqiptare. Ai tha se Shqipëria është një nga dy vendet me ecuri pozitive sa i përket procesit të vaksinimit në Rajon. Ahmetaj sakaq, tregoi shifrat që ka shpenzuar Shqipëria për sigurimin e vaksinave anti-COVID, ndërsa shtoi se plani i qeverisë është të miratojë një fond prej 50 milionë eurosh në vit nga buxheti i shtetit, për situatën pandemike.

Qeveria shqiptare ka publikuar për herë të parë sot, shifra të detajuara për kostot financiare të vaksinave të kontraktuara nga vendi ynë.

Për blerjen e vaksinave Pfizer-BioNTech janë shpenzuar gjashtë milionë euro.

Për vaksinën CoronaVac të Sinovac dhe atë turke Corona Suspension që bëhet me formulën e Sinovac, si dhe për vaksinat Sputnik V dhe një pjesë të AstraZeneca janë shpenzuar 26 milionë euro.

Për vaksinat AstraZeneca të blera përmes Covax, janë shpenzuar edhe tetë milionë euro të tjera.

Në total deri tani janë paguar 40 milionë euro.

Deri më sot në Shqipëri kanë mbërritur 911 mijë doza vaksinash. Prej tyre 800 mijë janë injektuar.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha sot se qeveria ka vendosur të ndajë 50 milionë euro për vitin 2022 për vaksina kundër koronavirusit pasi siç tha ai, gjasat janë që ky infeksion të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Po ashtu qeveria ka vendosur të ndajë buxhet të ngjashëm edhe për dy vitet e mëtejshme, 2020 dhe 2024. /noa.al