Transmetuar më 08-06-2021, 14:24

Shteti shqiptar është dorëzuar zyrtarisht përballë biznesmenit Françesko Beketi duke pranuar sot se do ti paguajë 108 milionë euro dëmshpërblim financiar.

Pohimin e bëri Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muçaj sot në një seancë dëgjimore për raportimin e Avokaturës së Shtetit lidhur me Ekzekutimin e Vendimeve të GJEDNJ-së për periudhen Qershor 2020 – Maj 2021.

Enkelejda Muçaj tha në Komisionin e Ligjeve se gjyqi me pronarin e Agon Channel është humbur duke saktësuar se pala shqiptare duhet të paguajë 108 milionë euro.

Muçaj tha gjithsesi se kjo mund të shkonte edhe më keq pasi Beketi kishte kërkuar plot 1.2 miliardë euro dëmshpërblim kur hapi fillimisht katër procese në Gjykatat Ndërkombëtare kundër Shqipërisë.

Nga tre procese, ai fitoi vetëm njërin që lidhej me sekuestrimin e televizionit Agon Channel që më pas u mbyll.

Pranimi publik në Parlament nga Avokatura e Shtetit se ka humbur përballë Beketit, vjen disa javë pasi kryeministri Edi Rama tha se ky kalvar nuk mbaronte kaq lehtë dhe se sipas tij Beketi nuk do ta kishte të mundur të merrte asnjë qindarkë nga buxheti i Shtetit shqiptar. /d.sh/noa.al