NOA ANALIZË/ Nga ERTV në RuçiTV, a po i jepet një tjetër shuplakë transparencës së pushtetit ndaj qytetarëve?
Transmetuar më 08-06-2021, 15:10

Nëse deri dje mund të shikonim në Parlament ecurinë e punës së deputetëve dhe të vrojtonim përmes kamerave dhe gazetarëve raportues të mediave, se sa të zellshëm ishin të zgjedhur e popullit në punë, tani e tutje dhe kjo dritare transparence do të mbyllet, madje me një vendim të posaçëm të legjislativit aktual që kontrollohet tërësisht nga qeveria.

Byroja e Kuvendit ka miratuar një rregullore sipas të cilës gazetarët dhe operatorët nuk mund të qëndrojnë në ambientet e komisioneve parlamentare gjatë kohës që zhvillohen mbledhjet.

Transmetimi i mbledhjeve do të bëhet nëpërmjet një regjie qendrore, ndërsa gazetarët do të kenë mundësi t’i ndjekin vetëm virtualisht nga News Room (një hapësirë e posaçme për gazetarët në Kryesinë e Kuvendit).

Në fakt me shkakun e pandemisë, kishte një vit e gjysmë që gazetarët nuk po lejoheshin as në komisione dhe as në seanca plenare duke ulur drastikisht nivelin e transparencës së të zgjedhurve përballë zgjedhësve.

Çfarë ndryshon për mediat dhe publikun

Kuvendi ka vendosur që gazetarët të mos hyjnë më në aktivitetet parlamentare duke filluar që nga muaji shtator 2021. Videot e mbledhjeve të komisioneve parlamentare do të regjistrohen nga vetë Kuvendi, dhe do të transmetohet të prodhuara prej tyre, ngjashëm si në ERTV-në që përdor kryeministri.

Kamerat e mediave nuk do të lejohen të hyjnë në sallat e mbledhjeve e as në korridoret e Kuvendit. Gazetarët mund të hyjnë vetëm në një sallë të posaçme për median, nga ku mund të ndjekin në ekran mbledhjet.

Gazetarët nuk do të lejohen të hyjnë në sallat e komisioneve për të parë me sy e për të dëgjuar me veshë çfarë ndodh: kush merr pjesë në mbledhje, a është kuorumi, si votojnë deputetët, si rrjedhin ngjarjet.

Reagojnë gazetarët 

Vendimi ka sjellë pakënaqësi të shumta sidomos nga mediat dhe gazetarët. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e kundërshtoi këtë vendim dhe dje dorëzoi në Kryesinë e Kuvendit një letër-ankesë për vendimin e Byrosë që ndryshoi rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedieve pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Permes letres drejtuar Kryetarit te Kuvendit te Shqiperise zotit Gramoz Ruçi, Unioni i Gazetareve kërkon ndryshimin e disa pikave te neneve te rregullores, të cilat tashme i janë vënë detyre për zbatim Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Presidenti, kundër censurës së re

Edhe Presidenti lir Meta reagoi sot duke e konsiderua të papranueshëm vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e gazetarëve të politikës në Komisionet Parlamentare për të bërë raportimin e tyre.

Meta tha se mazhoranca kërkon të instalojë një regjim censure. “I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara. Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri".

Kreu i shtetit i bën thirrje qeverisë që të tërheq nga vendimi “antidemokratik”.

Opozita angazhohet ta anulojë vendimin

Edhe opozita reagoi fuqishëm për këtë vendim. Ish Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, e konsideroi si antikushtetues dhe dhumim të fjalës së lirë vendimin që ndalon gazetarët të hyjnë lirisht në parlament dhe të raportojnë lirisht për punën e deputetëve.

Ajo që habit është se të tilla vendime po merren me shpejtësi, në ditët e fundit të tij, nga Parlamenti aktual i cili ka vetëm 122 ndër 140 deputetë që e kërkon ligji.

Për Vokshin, "bunkerizimi i Kuvendit, njësoj si bunkerizimi i qeverisë së Ramës përmes ERTV-së, ka vetëm një fjalë për t’u përshkruar, Censurë".

Duke konsideruar se ndalimi i gazetarëve për të raportuar lirisht nga Kuvendi i Shqipërisë është vendimi antikushtetues, Partia Demokratike njoftoi se do të jetë në krah të mediave për ta zhbërë këtë vendim, që sikurse thekson, cënon të drejtën kushtetuese për informim.

Konomi: Po bie kulla e fundit

Në radhët e gazetarëve të politikës, ky vendim është pritur me kritika. Esiona Konomi vlerëson se ka rënë edhe kulla e fundit dhe sipas saj, tashmë kemi një ERTV edhe në Kuvend.

Ajo shpreh shqetësimet praktike që rrjedhin nga ku vendim: "Ne nuk do të mund të shkëmbejmë mendime me deputetët apo zyrtarët e tjerë mbi cështje politike apo legjislative. Do të humbasim kontaktet tona duke na izoluar në një sallë bodrumi, duke i shpëtuar kështu vendimmarrësit nga bezditë që mund tu shkaktojnë kamerat apo mikrofonët tanë".

Byroja ka thënë se intervista mund të merren me deputetët, por vetëm me koordinim të centralizuar. Konomi sheh një handikap: "Na thuhet se nëse dëshirojmë intervista, ato do të koordinohen nga zyra e shtypit. Në fakt, intervistat më të mira janë ato që bëhen kur deputetët apo zyrtarët nuk duan të flasin".

A ka mbetur më transparencë jozyrtare?

Dihet që transparenca e plotë është ajo që nuk mbështetet vetëm në të dhënat që serviren zyrtarisht dhe në të gjithë botën qeveritë e kanë kuptuar dhe pranuar këtë. Lind pyetja, a ka më transparencë nga shteti shqiptar kundrejt mediave dhe për rrjedhojë qytetarëve?

Praktikisht, jo. Gazetarët në Shqipëri janë zhytur në një terr informativ që vetëm po thellohet. Kronika e zezë, është në vitet më të vështira të saj. Ngjarje ndodhin plot, por përveç atyre që ndodhin në vende shumë të ekspozuara në publik, të tjerat raportohen vetëm kur zëdhënësit japin informacion. Komunikimi i mediave me drejtoritë policore në qendër dhe rrethe është lokalizuar deri këtu. Janë inekzistente ose fare sporadike daljet e krerëve policorë që të shpjegojnë ngjarjet. Edhe kur ndonjëherë ndodh kjo, bëhet vetëm për promovim të punës së tyre.

Por a ndodh edhe jashtë Shqipërisë kështu? Për të kuptuar këtë, mjaft të shkojmë në Kosovë. Atje, zyrtarët e policisë, të identifikuar me emër, dalin në media tek secili që ua kërkon dhe konfirmojnë ngjarjet e japin informacione mbi to.

Për më tepër, në vende evropiane dhe SHBA, gazetarët e kronikës së zezë shihen si partnerë, madhe kanë radiomarrëse në frekuencat policore për t’u informuar mbi ngjarje të ndryshme që më pas shkojnë dhe i ndjekin.

Përse bëhet kjo gjë atje? Për transparencë ndaj publikut dhe zbatim të detyrimit kushtetues që sanksionon të drejtën e shtetasve për informim.

Lind pyetja, përse në Shqipëri kjo nuk ndodh?

Le të marrim institucionet e tjera shtetërore. Ato funksionojnë me komunikata sporadike që më së shumti janë promovime sesa zhvillime. Të kërkosh informacion prej tyre do të të duhet të presësh shumë dhe shpesh nuk merr asgjë në pritje të burokracive dhe raste të tilla janë të pafundme.

Në këtë kuptim, vendimi më i fundit i socialistëve për të krijuar një RuçiTV, apo një kopje të ERTV, nuk është asgjë më shumë, por një grusht tjetër që i jepet nivelit të transparencës në Shqipëri.